Nga Enver Robelli
Më 1912 Shqipëria u bë e pavarur, por në vend kishte disa pushtete. Në jug qeveria e Ismail Qemalit, në Shqipërinë e Mesme Esat Pashë Toptani, në Shkodër fuqitë e huaja si administratore, në veri malësorët që qeveriseshin vetë.
Rivaliteti mes Ismail Qemalit dhe Esat Pashë Toptanit ishte i madh. Vendi ndodhej para një lufte civile.
Kishte zëra që thoshin se Esat Pasha po favorizonte një turk për t’u bërë princ i Shqipërisë, ndonëse zyrtarisht përbetohej se përkrahte ardhjen e Princit Wilhelm zu Wied si sundimtar.
Më 9 janar 1914 disa forca që mbështesnin Esat Pashën kryen sulme në periferi të Elbasanit për të këputur lidhjet telegrafike mes Elbasanit dhe Vlorës.
Mytesarifi i Elbasanit Aqif Pasha, i cili ishte lojal ndaj qeverisë së Vlorës, i dërgoi një telegram Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Vlorë ku paralajmëronte rrezikun nga forcat e Esat Pashës.
Komisioni i Kontrollit ishte njëfarë UNMIK-u që duhej të kujdesej për qeverisjen e Shqipërisë dhe evitimin e kaosit total.
Komisioni dhe qeveria e Ismail Qemalit u mblodhën në Zyrën e Telegrafit në Vlorë për të komunikuar me Aqif Pashën, të cilin e porosisnin të mos dorëzohej, ndërsa Esat Pashës i bënin thirrje të ndalej.
Kështu nisi një luftë me telegrame mes Ismail Qemalit dhe Esat Pashës.
Oficeri holandez Lodewijk Thomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ngritur një forcë efikase policore, ka treguar se shkëmbimi i telegrameve mes Ismail Qemalit dhe Esat Pashës ishte një rast i papërsëritshëm për të studiuar fjalorin e sharjeve në gjuhën shqipe.
Esat Pasha e quante Ismail Qemalin “të poshtër” dhe “aventurier”, Ismail Qemali ia kthente: “grabitës”, “vrasës” etj.
Oficeri Thomson u vra në Durrës gjatë sulmit të fshatarëve të Shqipërisë së Mesme që mbështesnin Haxhi Qamilin.
Fan Noli i kushtoi një poezi Lodewijk Thomsonit (Thomsoni dhe kuçedra).
Te Ura, te Ura
Vraponi, o burra.
Me armë, me topa, me kordhë e me shpata.
Se dolli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajarakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shjakut në Durës me vrap.
Kuçedr’ e Turqisë,
Hyen’e urisë,
E rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari
Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,
Si gjarpër zavarniset, i sillet përqark,
Me dinin në gojë, me helm në bark.
Përshkrimi i luftës së telegrafëve nga Thomson përmendet në librin Esat Pashë Toptani. Njeriu, lufta, pushteti të publicistit Ilir Ikonomi.