Bota Pasardhësi i Merkel kërkon ndjesë për të qeshurat gjatë vizitës në zonat...

Pasardhësi i Merkel kërkon ndjesë për të qeshurat gjatë vizitës në zonat e përmbytura

Armin Laschet, kandidati kryesor për zëvendësimin e kancelares, Angela Merkel në zgjedhjet e shtatorit, kërkoi falje për të qeshurat gjatë vizitës së tij në zonat e prekura nga përmbytjet në Gjermaninë Perëndimore.

Laschet theksoi se ”ishte tronditur nga udhëtimi në zonat e përmbytura dhe ishte i zemëruar me veten për momentet e të qeshurave që ndezën kritika”.

“Unë kam qenë në rrugë gjatë gjithë ditës, ka pasur takime emocionale që gjithashtu më kanë tronditur. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam edhe më i shqetësuar nga ato pak sekonda ku dukem duke qeshur”, tha Laschet për televizionin WDR në mbrëmje.

“Ishte e papërshtatshme, nuk është korrekte të qeshësh në një moment të tillë”, shtoi ai.

Ai gjithashtu shkroi në Twitter se pendohej për përshtypjen që dha.

Fotot dhe videoja e së shtunës tregoi Laschet duke qeshur në sfond, ndërsa presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier po jepte deklaratë për shtypin gjatë një vizite në Nordrhein Westfalen, ku Laschet është kryeministër.