Skuadra norvegjeze e hendbollit të femrave është gjobitur me 1500 euro pasi lojtaret nuk pranuan të vishnin bikini gjatë ndeshjeve të Kampionatit Europian të hendbollit në plazh.
Federata Europiane e Hendbollit tha se e kishte vendosur këtë gjobë për shkak të “veshjes së papërshtatshme”.
Lojtaret e Norvegjisë kishin veshur pantallona të shkurtra në ndeshjen kundër Spanjës, të luajtur në Varna të Bullgarisë, veshje që u vlerësua se ishte jashtë rregullave për uniformën në sportin e hendbollit në plazh.
Kreu i Federatës Norvegjeze të Hendbollit, Kare Geir Lio, tha se gjoba do të paguhej, por shtoi: “Të gjithë duhet të jenë të lirë për të veshur atë që duan, brenda një standardi. Por më e rëndësishme është që sportistët të ndihen rehat”.
Ndërsa ministri norvegjez i Kulturës, Abid Raja, e cilësoi gjobën si “komplet qesharake”, ndërsa tha se bota mashkullore dhe konservatore e sportit ndërkombëtar duhet ndryshuar.