Së shpejti, fëmijët e moshës mbi 12 vjeç do të vaksinohen kundër COVID-19, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ndërsa theksoi se ky vaksinim nuk do të ishte i detyrueshëm.
Aktualisht, vaksinat janë në dispozicion për këdo qytetar të moshës mbi 16 vjeç.
Sipas të përditshmes greke “Kathimerini”, qeveria po ndjek me përpikmëri rekomandimet e komisionit të vaksinimit të vendit në lidhje me vaksinat për fëmijët.
Në javët e fundit, Greqia ka rritur fushatën e saj të vaksinimit dhe synon të ketë të paktën 70 % të popullsisë së rritur të vaksinuar nga fillimi i shtatorit, sipas qeverisë.
Një pjesë e fushatës përfshin bërjen e vaksinimit të detyrueshëm për personat, të cilët punojnë në sektorët e shërbimeve shëndetësore dhe të kujdesit.
Vaksinimi është gjithashtu i detyrueshëm në ushtri.