Qeveria federale dhe qeveritë e landeve vënë në dispozicion shuma të mëdha parash për zonat e prekura nga përmbytjet në Gjermani. Merkel: Ngushëllimi i vetëm, solidariteti i njerëzve
Një javë pas katastrofës së përmbytjeve, sidomos në pjesën perëndimore të Gjermanisë, qeveria federale ofron një ndihmë emergjente prej 400 milionë eurosh. Me këto para synohet të eleminohen dëmet më të mëdha të ndërtesave dhe të infrastrukturës komunale dhe të kapërcehen nevojat e tjera urgjente. Shuma prej rreth 400 milion eurosh do të ofrohet përgjysmë nga qeveria federale dhe nga qeveritë e landeve.
Gjithashtu planifikohet edhe një fond për rindërtimin, por vendimi në lidhje me shumën e këtij fondi do të merret vetëm pasi shkalla e dëmtimeve të mund të parashikohet më saktësisht në javët e ardhshme.
Merkel: Ngushëllimi i vetëm, solidariteti i njerëzve
Kancelarja Merkel e cila vizitoi disa nga zonat e katastrofës dhe u shpreh e prekur thellë nga dëmet e tmerrshme dhe nga njerëzit që kanë humbur gjithçka.
Kancelarja tha se nuk gjen fjalë për të shprehur se sa shumë janë goditur banorët e zonave të përmbytura duke shtuar se “ngushëllimi i vetëm është solidariteti i njerëzve.”
Policia vazhdon kërkimin e personave të zhdukur
Ndërkohë numri i të vdekurve ka arritur në të paktën 164 vetë: 117 janë konfirmuar në landin Rheinland-Pfalz dhe 47 në Nordrhein-Westfalen. Në të dy landet federale nuk përjashtohet që mund të gjenden edhe viktima të tjera dhe kërkimi për njerëzit e zhdukur vazhdon.