Berlini dhe Uashingtoni dalin garante se çdo përpjekje e Moskës për ta përdorur gazsjellësin “Nord Stream 2” si një armë politike do te bllokohet. Por kjo garanci duket se nuk mjafton për të mbyllur debatet.
“Dallimet mbeten, e pamë atë në reagimet në Kongresin amerikan”, u tha kancelarja gazetarëve në Berlin, duke iu referuar kundërshtimeve rreth kësaj marrëveshjeje.
Merkel tha se synon një zgjatje në kohë të marrëveshjes ekzistuese dhe ndërtimin e një linje alternative të gazsjellësit edhe në Ukrainë, çka do t’i siguronte Kievit miliarda dollarë në tarifa tranziti.
Por Ukraina dhe Polonia shprehën pakënaqësinë e tyre në marrëveshje, duke thënë se kjo nuk ishte e mjaftueshme për të zvogëluar kërcënimin rus mbi energjinë. Ministrat e jashtëm të Ukrainës dhe Polonisë u shprehën nëpërmjet një deklaratë të përbashkët se marrëveshja gjermano-amerikane sjell një kërcënim politik, ushtarak dhe energjetik për Ukrainën dhe Evropën Qendrore, si dhe rrit potencialin e Rusisë për të destabilizuar situatën e sigurisë në Evropë.
Në anën tjetër administrata e Presidentit Joe Biden e shikon marrëveshjen si një riparim të marrëdhënieve me Gjermaninë, të cilat u dëmtuan gjatë administratës Trump. Shtëpia e Bardhë tha se ndërtimi i gazsjellësit ka mbërritur në një pikë nga e cila është vështirë të hiqet dorë.
Kremlini ka përsëritur pretendimet se nuk e ka përdorur kurrë energjinë si një armë gjeopolitike. Rusia mund të diskutojë zgjatjen e marrëveshjes për transportin e gazit tranzit përmes Ukrainës, përtej vitit 2024.
Gazsjellësi “Nord Stream 2” transporton gazin natyror rus drejt Gjermanisë. 98% e gazsjellësit ka përfunduar. Ai është një investim prej 11 miliardë Dollarësh që do të anashkalojë si Ukrainën ashtu edhe Poloninë.