Kosova mbetet tejet e suksesshme në Lojërat Olimpike, kjo edhe falë sportit të xhudos. Pas Majlinda Kelmendit që në vitin 2016 i dha shtetit më të ri të Europës medaljen e parë të artë olimpike në Rio, tashmë suksesi përsëritet nga Distria Krasniqi.
Xhudistja e talentuar ka fituar medaljen e artë për Kosovën në kategorinë deri në 48 kilogramë, pasi mposhti në gjysmëfinale rivalen nga Mongolia dhe u kualifikua në finalen e madhe.
Në finale, Distria u përball me japonezen Funa Tonaki, të cilën arriti ta mposhtë, duke siguruar medaljen e dytë të artë për Kosovën.
“Ndjenjë shumë e mirë. Jam e lumtur për veten, trajnerin, familjen dhe gjithë vendin. Ka qenë një luftë e vështirë ndaj japonezes, pasi janë më të mirët në botë. Falënderoj të gjithë për përkrahjen. Kjo është një ëndërr e realizuar. Jam ende e re dhe pretendoj të marr pjesë edhe në dy olimpiada. Do të vazhdoj kështu. Ndoshta do ta ndërroj kategorinë”, ishin fjalët e para të xhudistes nga Kosova.