Kryesore Varianti Delta do të “pushtojë” botën brenda pak muajve

Varianti Delta do të “pushtojë” botën brenda pak muajve

Varianti Delta i Covid-19, që transmetohet shumë lehtësisht, pritet të bëhet lloji më dominues i koronavirusit në muajt e ardhshëm. Konfirmimi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve në një raport të përbashkët.

Në dy javë nga 28 qershori deri më 11 korrik, mes 28 vendeve që përfunduan renditjen e gjenomit të koronavirusit, lloji Delta është bërë varianti kryesor i transmetueshëm në 19 prej tyre, duke zënë 68,3%.

Ky rezultat i bërë publik në raport ka detyruar shumë shtete që të rikthejnë disa kufizime ose të përdorin metoda të ndryshme për të nxitur vaksinimin e qytetarëve. Në bazë të situatës aktuale me pandeminë, Delta do të bëhet variant më dominant në pak muajt e ardhshëm.

Dyshime në SHBA për vaksinën

Shumica e amerikanëve që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19 thonë se nuk ka gjasa të imunizohen, duke hedhur dyshime se vaksinat nuk janë efektive kundër variantit Delta. Gjetjet u publikuan në një sondazh të ri që nënvizon sfidat me të cilat përballen zyrtarët e shëndetit publik ndërsa numri i infeksioneve po rritet në disa shtete.

Një pikëpyetje e madhe që është ngritur është nëse mutacioni Delta i bën njerëzit më të sëmurë se varianti fillestar i virusit, diçka që ende po studiohet.

Të pavaksinuarit më të rrezikuar

Por ajo që dihet me siguri është se personat që nuk janë të vaksinuar plotësisht janë më të rrezikuarit. Autoritetet spitalore anembanë vendit thonë se ata që janë të shtruar në spital me variantin Delta janë më të rinj në moshë, krahasuar me prirjen gjatë valëve të mëparshme të koronavirusit.

Tani për tani, mjekët thonë se vaksinimi është mbrojtja më e mirë nga varianti Delta.

Ky lloj është prezent në thuajse të gjitha shtetet e Europës. Fillimisht varianti Delta u raportua në Indi. Raporti i OBSH dhe Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve thekson se Delta do të vazhdojë të përhapet dhe të zëvendësojë variantet e tjera të Covid-19, deri sa të shfaqet një tjetër lloj koronavirusi më i rëndë.