Paraqitet e vështirë situata nga zjarret në ishullin italian të Sardenjës. Sipas autoriteteve italiane, pjesa perëndimore e ishullit , në afërsi të qytetit Oristano, po përjeton një nga situatat më të vështira në vitet e fundit, me pothuajse 20 mijë hektarë pyje dhe shkurre tashme të shkrumbuara.
Ndoshta nga pakujdesia njerëzore, por sigurisht me ndihmën e erës së nxehtë që ka fryrë në ditët e mëparshme, flakët janë shpërndarë shumë shpejt duke rrezikuar edhe qendrat e banuara, si Cuglieri, Senniarolo dhe Bosa, ose si Santu Lussurgiu, qytezë që pothuajse është braktisur nga banorët e frikësuar.
Sipas autoriteteve lokale, dëmet në bujqësi dhe turizëm janë të pallogaritshme, ndërkohë që po aq të rënda janë ato mjedisore. “Një mal i tërë u zhduk në një ditë, pasi ishin dashur 50 vite për ta pyllëzuar”, ishte një nga dëshmitë pikërisht nga qyteza e Santu Lussurgiu.
Sardenja është një nga destinacionet turistike verore më të njohura në Itali dhe Europë, dhe po ngrihej me vështirësi nga kriza globale e virusit pandemik.