Humbja në zgjedhjet e 25 Prillit vijon të japë efektet e saj brenda Partisë Demokratike.
Të pakënaqur me mënyrën sesi Lulzim Basha po drejton këtë forcë, 13 anëtarë të Kryesisë së degës së PD në Korçë, përfshirë dhe anëtarin e Këshillit Kombëtar, Andrea Mano kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre.
Në letrën e dorëheqjes ata e akuzojnë Bashën se me arrogancë po e kthen partinë në forcë klienteliste dhe në funksion vetëm të interesave të tij personale.
Sipas anëtarëve të Kryesisë së degës së Korçës, “me veprimet dhe mosveprimet e tij Lulzim Basha po hedh poshtë mundin edhe sakrificat e opozitës më të vështirë” – në gjykimin e tyre – “në të gjithë historinë e PD”.
Pavarësisht dorëheqjes nga funksionet, të 13 firmëtarët kanë deklaruar se do të vazhdojnë të jenë anëtarë të kësaj force.