Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtar lidhur me aksionin e djeshëm në zonën e “Xhamllikut” ku u sekuestrua 1 kg e 128 gr kokainë.
Pesë persona janë arrestuar dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë Gentian Kore 47 vjeç, Taulant Çoku 34 vjeç, Altin Gega 28 vjeç dhe Erjon Prenga 32 vjeç. Të gjithë këta akuzohen për prodhim dhe shitje e narkotikëve e kryer në bashkëpunim.
Policia thotë se shitja e drogës bëhej në biznesin e Gentian Kores me motora picash në rrugën “Kujtim Laro”.
Sapo panë policinë, 4 personat e sipërmendur tentuan të largohen me vrap, por u neutralizuan dhe arrestuan. Gjatë largimit, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në kërkim si bashkëpunëtor është shpallur një person tjetër, 33-vjeçari me dy identitete E.E. dhe P.S.
Gjatë aksionit të policisë, u ndalua edhe një makinë Mercedes-Benz ngjyrë e zezë, që nuk i ndaloi policëve civilë dhe u largua me shpejtësi. Drejtuesi i mjetit, Gazmir Cani 26 vjeç, u identifikua dhe është arrestuar. Ai akuzohet për kundërshtim të punonjësve të policisë.
“Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, i shtetasit G. C., 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për të ndaluar për verifikim e tij dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.