Një 31-vjeçar në Kurbin është arrestuar nga policia pas ndjekjes nga uniformat blu. Fation Lika udhëtonte me makinë në rrugën dytësore Milot-Mamurras.
Patrulla konstatoi mjetin duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë dhe i bënë shenjë të ndalonte, por drejtuesi u largua me shpejtësi duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve të policisë.
Pasi janë venë në ndjekje të tij, uniformat blu konstatuan sërish në fshatin Malbardhë 31-vjeçarin Fation Lika, i cili ka kundërshtuar shoqërimin, duke i drejtuar punonjësve të policisë një pistoletë imituese. Me ndihmën edhe të vëllait të tij, Klodian Lika, u largua sërish.
Policia Rrugore njoftoi forcat “Shqiponja” dhe Forcat Operacionale, të cilat bënë të mundur lokalizimin e dy vëllezërve Lika dhe i arrestuan.
Fation Lika është person me precedent të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje, vjedhje dhe kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë. Gjatë kontrollit me alkoolmatësin ka rezultuar se 31-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Policia sekuestroi edhe pistoletë imituese, me të cilën Fation Lika dyshohet të ketë kanosur punonjësit e policisë.