Peshëngritësi shqiptar, Briken Calja, ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në Olimpiadë, por ka humbur mundësinë për të marrë një medalje për vetëm një kilogram më pak të ngritur në stilin e shkëputjes.
Peshëngritësi shqiptar ngriti vetëm 151 kilogramë në këtë stil, ndërsa në shtytje arriti të ngrite 190 kg, por në fund u rend i katërti në këtë stil dhe në dygarësh, pasi indoneziani Abdullah fitoi medaljen e bronztë.
Peshëngritësi shqiptar ka arritur të ngrejë 151 kilogramë në stilin e shkëputjes në provën e dytë, ndërsa dështoi në të parën me të njëjtën peshë, si dhe në provën e tretë kur shtanga shkoi në 155 kilogramë.
Në shkëputje, vendi i parë i takoi peshëngritësit kinez Shi Zhiyoung, i cili vendosi edhe rekord olimpik me 163 kilogramë. Ndërkohë, Briken Calja e mbylli këtë stil në vendin e 7.
Ndërkohë, në stilin e shtytjes, Calja ngriti në provën e parë 184 kilogramë, por ndjeu dhimbje në gju pas ekzekutimit me sukses.
Në provën e dytë, me 188 kilogramë, Calja dështoi, ndërsa arriti të ngrejë 190 kilogramë në provën e tretë.
Në dy garësh, Calja është renditur në vendin e katërt me 341, ndërsa në vend të tretë u rendit peshëngritësi nga Indonezia me një kilogramë më shumë.
Peshëngritësi tjetër shqiptar në Tokio, shkodrani Erkand Qerimaj do të garojë ditën e shtunë.