Sport Brdaric beson tek përmbysja: Me mbështetjen e tifozëve ia dalim

Brdaric beson tek përmbysja: Me mbështetjen e tifozëve ia dalim

Vllaznia synon një tjetër përmbysje në Ligën e Konferencës pas asaj që arriti ndaj Shiroki Brijeg. Këtë herë kuqezinjtë duhet të përmbysin disfatën e ndeshjes së parë 1-0 ndaj Ael Limasol. Në lidhje me takimin tekniku Thomas Brdaric u shpreh se skuadra është e karikuar për këtë përballje.

“Është sfidë shumë e bukur për ne. Jemi plot energji, jam krenar për këtë që kemi arritur, edhe Shkodra duhet të jetë krenare për çfarë kemi arritur në këtë fazë. Tani duhet të japim më të mirën që të shkojmë edhe më tej. Kam zbuluar disa hapësira për përmirësim. E kemi lënë pas ndeshjen në Qipro, jemi të përqendruar për të bërë disa ndryshime themelore dhe profesionale në nivelin e lojës, për të kuptuar nga gabimet, në mënyrë që të fitojmë.”

Tekniku shfaqi bindjen e plotë që shkodranët do të arrijnë suksesin.

“Janë një ekip me më shumë buxhet, kanë rroga dhe kushte më të mira. Gjithsesi, ne treguam atje se jemi një ekip. Këtu kemi avantazhin e tifozëve. Lojtarët e mi janë gjithmonë të bindur dhe gjithmonë gati për të bërë atë që kërkoj unë. Duke llogaritur edhe tifozët, unë jam i bindur për fitore.”

Numri një i stolit foli edhe për Liridon Latifin, i cili për ndeshjen ndaj qipriotëve do të jetë titullar.

“Është një lojtar që më pëlqen shumë. Përmirësimi që ka bërë javët e fundit por edhe aftësitë që ai ka, do na çojnë në një nivel tjetër si ekip. Ai ka ardhur këtu për të mbështetur dhe për të ndihmuar ekipin me aftësitë e tij. Është një lojtar që vërtet e kam qejf. Nesër do e fillojë si titullar, nesër ka mundësinë më të mirë për të treguar aftësitë e tij.”