Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar sërish lidhur me raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 Prillit. Në një postim në mediat sociale, Basha shkruan se 25 Prilli ishte një masakër dhe sipas tij këtë e dinte të gjithë dhe konfirmohet nga OSBE.
Më tej numri një i opozitës shton se PD ka depozituar 185 padi penale në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve për krimet zgjedhore dhe se pret drejtësi për këto çështje.
Basha shprehet se po nuk pati ndëshkim për atë që ai e quan masakër elektorale njerëzit do të qeverisen nga një pakicë e korruptuar.
“25 prilli ishte një masakër zgjedhore! Këtë e dinë të gjithë shqiptarët, këtë e konfirmon edhe OSBE/ODIHR. Partia Demokratike ka depozituar 185 padi penale në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve për krimet zgjedhore.
Ne presim drejtësi, sepse shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa u ndëshkuar autorët e kësaj masakre, pa u kthyer legjitimiteti në vend, nuk do të kemi një pushtet të njerëzve për njerëzit, por sundimin e një pakice të korruptuar që varfëron dhe shpopullon Shqipërinë”, shkruan kreu i PD.