Aktualitet Babai dhe djemtë qëllohen me çifte nga kushërinjtë, një i vrarë dhe...

Babai dhe djemtë qëllohen me çifte nga kushërinjtë, një i vrarë dhe të plagosur

Një i vrarë dhe 3 të plagosur është bilanci i një konflikti për pronat mëngjesin e kësaj të enjteje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:30 në fshatin Garunjas të njësisë administrative Bllagat në Lushnje.

Babai dhe 3 djemtë e tij u qëlluan me çifte nga kushërinjtë e tyre të parë.

Për pasojë, mbeti i vdekur Romeo Hasalla 30 vjeç, kurse të plagosur babai i viktimës Shaip Hasalla 65 vjeç dhe dy djemtë e tjerë Laert Hasalla dhe Emiljano Hasalla 31 vjeç.

Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje janë dy vëllezërit Afrim dhe Kastriot Hasalla 33 vjeç dhe djali i këtij të fundit Marjus Hasalla, kushërinjtë e parë të viktimës dhe të plagosurve. Ata janë larguar nga vendngjarja dhe janë shpallur në kërkim policor.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se këto dy familje kanë patur vazhdimisht konflikt për pronat. Megjithatë, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen tërësisht të shkaqeve, rrethanave dhe dokumentimin e plotë.

“Vajtën me zetor për të prishur ullinjtë”, flet gruaja që i vranë djalin dhe i plagosën burrin me 2 djemtë e tjerë

Konflikti mes kushërinjve të parë në Lushnje ndodhi për ullinjtë në një tokë bujqësore. Nëna e viktimës ka thënë për gazetarët se djemtë e kishin mbjellë me ullinj dhe konflikti me kushërinjtë nisi për prishjen e tyre.

“Ajo është tokë-shtet. Çunat e patën mbjellë, është toka ime, vajtën atje dhe nuk di nëna më gjë. Për punë toke. Do ketë prishur ullinjtë që ka mbjellë çuni, vajtën me zetor për të prishur ullinjtë andej”, thotë mes lotësh nëna e viktimës.