Kryesore Minishengeni, Rama: Jo nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë

Minishengeni, Rama: Jo nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë

Nga Forumi Ekonomik i Shkupit ku marrin pjesë liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, kryeministri Edi Rama ka thënë se Minishengeni Ballkanik është një nismë e hapur për të gjithë dhe që duhet të jetë projekt i së ardhmes.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se bashkëpunimi mes 4 vendeve të Ballkanit synon të njëjtat liri themelore që ka edhe Bashkimi Europian.

“Shpresoj që sot të jetë një ditë e mirë për të gjithë ata që kanë ardhur jo vetëm nga Shqipëria e Serbia por edhe nga Mali i Zi, Kosova, Bosnja, Kroacia edhe nga Greqia. Këtu janë të pranishëm ata që krijojnë punë dhe duan të shkojnë më tutje. Kjo nismë është gjëja e duhur dhe jo vetëm është gjëja e duhur, por ndryshe nga çfarë predikojnë disa është edhe e vonuar. Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën.

Ne duam të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme që nuk shpik asgjë të re por sjell në këtë rajon shembull kuptimplotë që është shembulli i BE duke synuar jetësimin e 4 lirive themelore të BE; të lëvizjes së njerëzve, mallrave, së kapitaleve, të lëvizjes së shërbimeve. Në fund të ditës në momentin që integrohemi në BE do bëjmë ekzaktësisht këtë që bëjmë sot pa BE. Pra nesër si pjesë e BE nuk do ketë më diskutime të mundshme nëse këto 4 liri do zbatohen në rajonin tonë. Është sa për të ardhur keq edhe për të qeshur kur dëgjon edhe evropianë që pyesin me çudi që çfarë po bëni ju. Ne nuk mundet dot që të lexojmë shifra, fakte të vëna para syve tanë nga organizma financiare ndërkombëtare, ku thuhet se nëse duam të rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar ne mund ta rrisim deri në 2.5% vetëm nga integrimi ekonomik ndërkohë që nëse ne arrijmë nivelin e marrëveshjes europiane të tregtisë së lirë prodhimi ynë mund të shkojë 6.7% në rritje.

Dhe pse duhet t’ja privojmë vetes këtë mundësi të jashtëzakonshme duke ndenjur secili brenda hapësirës së vetë të vogël. Nuk kemi pse presim që integrimin e rajonit nga pikëpamja e 4 lirive të Europës ta bëjmë pasi të kemi hyrë në BE. Ne do ta bëjmë tani. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është nismë ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo është nismë e hapur për të gjithë”.

Jo nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë

Kryeministri Rama u ktheu përgjigje edhe skeptikëve të Minishengenit Ballkanik, për të cilët tha se nuk mund të presin askënd, por do të vazhdojnë përpara me axhendën, duke i ftuar që kushdo mund t’i bashkohet kësaj nisme. E duke folur për kundërshtarët e Minishengenit, Kryeministri theksoi se ky nuk është projekt i menduar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, dhe as Serbia nuk është përfituesja më e madhe.

“Ne nuk mund të presim konsensus për t’u takuar, se ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë karikaturë ballkanke të BE këtu që çohet njëri dhe thotë unë vë VETON këtu dhe nuk duhet të takoheni. Ne nuk kemi luksin të humbasim kohë se kemi humbur shumë , kemi humbur shekuj. Kemi jetuar gjatë me kënaqësinë e vuajtjes së të tjerëve. Nuk kemi parë asnjëherë se çfarë fitojmë ne nga bashkëpunimi. Kush thotë që kjo është nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompensuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë e do vijë të na marri çfarë kemi, jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu duhet të themi që dhe BE është një Jugosllavi e madhe.

Nëse BE është Jugosllavi e madhe, atëherë po kjo është një Jugosllavi e vogël. Por në fakt jo. Për çfarë arsye të gjithë kamionët e mallrave që qarkullojnë në këtë rajon duhet të harxhojnë më shumë kohë në kufij se sa në udhëtim. Për Shqipërinë kjo nismë është strategjike. Brenda vitit të ardhshëm i gjithë sistemi i qarkullimit të njerëzve, kapitaleve të jetë 100% i njehsuar me BE. Madje kemi rënë dakord që do fusim edhe sistemin e informacionit mbi pagesat e TVSH-së”.

Ftesë për Kosovën

Rama ftoi sërish Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën që t’i bashkohen Minishengenit Ballkanik në mënyrë që i gjithë rajoni të thithë investime nga Bashkimi Europian dhe organizma financiare ndërkombëtare.

“Nuk e kuptoj Mali i Zi për çfarë mendohet? Po Bosnja për çfarë mendohet? Sepse e di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe duhet të bëjmë maksimumin në këtë proces për njerëzit e tyre dhe për të gjithë së bashku. Dëgjoj patriotët e Shqipërisë që thonë hekurudha. Cila hekurudhë? Cilët janë investitorët që do hedhin fondet për hekurudhën nëse treni shkon në një destinacion brenda për brenda kufijve tanë. Kush do vijë të investojë?

Ku gjenden këta budallenj që janë gati të hedhin paratë për të financuar një sektor që dihet se jeton me subvencione shtetërore. Nëse ne së bashku kemi fuqinë dhe vullnetin të ndërtojmë një projekt të përbashkët dhe të trokasim në dyert e organizmave financiare ndërkombëtare dhe të themi urdhëroni rrjetin hekurudhor të gjithë Ballkanit, por gjithë volumi i lëvizjes justifikon investimin”.