Një super miliarder në Kinë është dënuar me 18 vite burg, në vendimin më të ashpër të dhënë vitet e fundit ndaj një prej bosëve më të mëdhenj të koorporatave kineze.
Sun Davu drejton një prej bizneseve në fushën e agrikulturës, në provincën veriore të Hubeit.
67-vjeçari, ndër të vetmit që fliste hapur në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe për çështjet më të nxehta politike, u dënua pasi pushtoi ilegalisht një hapësirë toke, disa hektarë, duke akuzuar agjencitë shtetërore se nuk e kanë kryer siç duhej punën e tyre.
Përveç dënimit me burg, ai duhet t’i paguajë shtetit edhe gjobën 478 mijë dollarë.
Ai ka qenë një prej personave të paktë që ka akuzuar qeverinë për fshehje të gripit afrikan, që ka prekur fermat e tij më 2019, dhe më pas ka dëmtuar një pjesë të mirë të industrisë shtetërore.
Sun besohet se është i afërt me disa disidentë politikë kinezë dhe ka kritikuar në të kaluarën politikat rurale të qeverisë.
Kina vazhdimisht ka shtypur bizneset dhe sipërmarrësit e këtij shteti. Kompani të mëdha teknologjike, duke përfshirë ato si Alibaba, Didi dhe Tencent, janë duke u hetuar për një mori çështjesh rregullative.