Eksportet e armëve të prodhuara në Europë kanë provokuar zhvendosjen e të paktën 1.1 milionë njerëzve. Kjo gjetje raportohet nga Instituti Transnacional në Hollandë që ka çmuar se shifra është minimale në raport me realitetin.
Instituti në fjalë ka publikuar një raport të posaçëm mbi këtë çështje duke evidentuar raportin mes shitjes së armëve dhe largimit të njerëzve. Konkretisht, pjesë të helikopterit italian, T-129 ATAK ia janë shitur Turqisë që i përdori ato në dy sulme në Sirinë Veriore, si pasojë e të cilëve u larguan rreth 180 mijë njerëz.
Në Irak, luftëtarët e ISIS përdorën lëshues bullgarë të raketave që ishin dërguar në Arabinë Sauidte dhe SHBA. Lëshuesit u përdorën në Ramadi, ku vlerësohet se janë larguar mbi 500 mijë njerëz nga provinca Anbar. Bullgaria ka eksportuar po ashtu armë të lehta, sisteme artilerie, armë automatike, granatalëshues ndaj Republikës Demokratike të Kongos.
“Specifikisht armët bullgare u përdorën në Kivunë e Veriut në vitin 2017, periudhë që korrespondon me zhvendosjen me forcë të 523 mijë njerëzve”, thonë hartuesit e raportit.
Raketa britanike, gjermane dhe franceze u eksportuan në Azerbajxhan dhe u instaluan në drone turq. Në 44 ditë konflikt në Nagorno Karabakh u zhvendosën rreth 90 mijë armenë. Raporti vë në dukje një rritje të eksporteve ushtarake europiane. Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar përbëjnë 22% të eksporteve globale të armëve për vitet 2016-2020. Europa i ka shitur Afrikës dhe vendeve të Azisë Perëndimore 35 miliardë euro armë që nga viti 2017. Kjo periudhë përputhet me valën migratore sirian-afgane për të cilën BE-ja pagoi një kosto jo të vogël.