Zyrtarizimi i Raphael Varane tek Manchester United konfirmoi rënien e dyshes aq shumë të suksesshme të mbrojtjes tek Reali i Madridit. Më herët, klubi vendosi të mos rinovonte kontratën me Sergio Ramos, ish-kapiteni nënshkroi si një lojtar i lirë me PSG, në një kohë që pranoi ofertën prej 50 milionë eurosh të United, duke lejuar edhe largimin e francezit, i cili kishte vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij me “Los Blancos”.
Me dyshen Ramos-Varane, Reali ka fituar plot 18 trofe, ku bëjnë pjesë ndër të tjerë 3 kampionate dhe 4 Uefa Champions League, diçka që e ka kthyer ikonike këtë dyshe që pas 10 vitesh nuk do të jetë më “muri” i mbrojtjes “merengues”.
Atëherë çfarë do të ndodhë në të ardhmen për të zvogëluar hapësirën e lënë bosh nga Ramos e Varane? Reali ka afruar David Alabën, që prej disa vitesh e ka braktisur rolin e tij të parë, atë të mbrojtësit të majtë, duke u shndërruar në një qendër e majtë, tjetri është Eder Militao. Në vitin 2019 klubi spanjoll i pagoi Portos 50 milionë euro për të drejtat e brazilianit, por në dy sezonet e tij të para tek madrilenët nuk është se ka pasur vazhdimësinë e duhur, duke luajtur gjithsej vetëm 29 ndeshje në La Liga në dy vite.
Tashmë pritet që Ancelotti t’i japë besim me shpresën që të tregojë të gjithë vlerat e tij, nuk përjashtohet edhe një ndërhyrje në merkato për të afruar një qendërmbrojtës, gjithsesi, për momentin është krijuar përshtypje se Reali do të vuajë jo pak derisa një dyshe tjetër të konturohet si duhet në repartin difensiv.