Tashmë është e qartë për të gjithë që Reali i Madridit është fiksuar pas Kylian Mbappe dhe lajmet që vijnë nga Spanja e konfirmojnë. Sipas të përditshmes madrilene “Marca”, shumë pranë klubit “merengues”, Florentino Perez është gati ta peshojë në ar sulmuesin francez, nëse ky do të mbërrinte te Reali me parametra zero në 2022.
40 milionë euro neto në formë bonusi në momentin e firmës dhe një pagë prej 25 milionë eurosh neto në sezon. Shifra astronomike, sidomos në kohë pandemie, që demonstrojnë se te Reali janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për Mbappen.
Kontrata e tij me Paris Saint Germain skadon pas më pak se një viti dhe duket se rinovimi nuk do të vijë. Futbollisti ia ka komunikuar synimin e tij për të lënë Parisin trajnerit Mauricio Pochetino dhe shokëve të skuadrës dhe për momentin nuk shihen mundësi për ndonjë prapakthehu, pavarësisht se Leonardo dhe Al Khelaifi po ndërtojnë një skuadër “yjesh” në këtë sesion të merkatos.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, në revistën zyrtare të klubit, Mbappe deklaronte se ëndrra e tij është që të fitojë Champions League me PSG, ndaj dhe është e mundur që të respektojë kontratën e tij dhe të tentojë një sulm të fundit për trofeun kontinental në sezonin e ardhshëm, para se të bashkohet me projektin e Realit të Madridit.
Tratativa ka hyrë në fazë interesante dhe shifrat janë vërtet stratosferike. Pavarësisht një Europiani për t’u harruar nga Mbappe, Reali e dëshiron dhe me sa duket, me çdo kusht.