Gjergji Kajana*
Trump shpalli para tre javësh se SHBA njihnin Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Deklaroi se duhej një afrim i ri në zgjidhjen e konfliktit izraelito – palestinez. Kjo lëvizje natyrisht nuk është koherente me kërkimin e paqes për konfliktin por është koherente me çuarjen në ekstrem të vizionit të së djathtës amerikane për Izraelin si aleati më i sigurt i Amerikës. Ky vizion i përket krejt politikës amerikane – edhe asaj të demokratëve – por është shumë më i theksuar tek republikanët, të cilët manjati njujorkez i përfaqëson në Shtëpinë e Bardhë.
Jeruzalemi u pushtua prej izraelitëve gjatë luftës së 1967-s kundër Egjiptit, Jordanisë e Sirisë. Për shtetin hebraik ai është kryeqyteti i vërtetë i vendit por bashkësia ndërkombëtare nuk e njeh këtë pretendim. Duke qenë gjithashtu një qytet historik edhe për palestinezët, ndërkombëtarët i mbivendosin vendimit të tyre të mundshëm mbi njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit një marrëveshje arabo – izraelite mbi këtë çështje. Ky është qendrimi në parim i vendeve të BE-së, Kinës e Rusisë dhe deri dje ishte edhe i Amerikës. Trump përzjeu letrat, duke bërë Uashingtonin më të urryer për botën myslimane e më të dashur për Izraelin.
Në vizionin e Trump Izraeli është një kundërpeshë e shkëlqyer ndaj prirjeve hegjemonike të Iranit në Lindjen e Mesme. Në rivalitetin shiitë – sunitë që përshkon botën myslimane shkatërrimi së fundmi i Shtetit Islamik (një fuqi kryengritëse sunite) forcon Teheranin shiit, aleat i Sirisë e Irakut – vende ku kryengritësit vepronin – dhe armik i Izraelit. Kundërpeshë e tij mbetet Arabia Saudite, së cilës Trump i konfirmoi taktikisht miqësinë amerikane me vizitën e zhvilluar atje në verë. Për momentin strategjia e Trump në Lindjen e Mesme ka dy shtylla kryesore: supermiqësia me Izraelin e armiqësia me Iranin, kërcënuar nga manjati me prishjen e marrëveshjes obamiane të 2015-s mbi programin bërthamor që Teherani çonte para. Me marrëveshjen Irani pranon të reduktojë kapacitetin e tij bërthamor por për Izraelin kjo është një manovër demagogjike. Në këtë pikë Trump mbështet izraelitët, akuzon iranianët si shkelës të marrëveshjes e kërcënon ta tërheqë Amerikën nga ajo, një lëvizje që do ta detyronte Iranin -nën tehun e kërcënimit amerikano – izraelit – të riarmatosej fuqishëm, çka rrit mundësitë për një luftë të re në Lindjen e Mesme.
Në OKB Shqipëria ka votuar (si 127 vende të tjera) pro rezolutës që dënonte vendimin e Trump për Jeruzalemin kryeqytet. Natyrisht rezoluta nuk e ndal Amerikën të procedojë me politikën e saj por demonstron se është e izoluar në nivel ndërkombëtar mbi këtë çështje. Vota e Tiranës është në linjë me politikën e një vendi i cili nuk ka interesa specifike në Jeruzalem dhe ndjek trendin e pjesës dërrmuese të anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare. Me veçantinë se kësaj here bashkësia ndërkombëtare është e përçarë në këtë çështje në vende filoamerikane (pak) e vende antiamerikane. Në prag të pritjes së ethshme për të çelur negociatat me BE-në, Shqipëria zgjedh të jetë antiamerikane për t’u dukur tërësisht filoevropiane, duke qenë se pjesa dërrmuese e vendeve të Bashkimit (përfshirë Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën e Italinë) votuan si antiamerikanë.
SHBA kanë kërcënuar raprezalje ndaj cilitdo vend që do t’i votonte kundër në OKB por – guximshëm për një vend që i detyrohet Amerikës ekzistencën pas Luftës së Parë Botërore (për shkak të parimeve të Uillsonit për vetëvendosjen e popujve Shqipëria nuk u copëtua, siç parashikonte Pakti i Londrës i 1915-s) – Tirana vendos të rreshtohet me BE-në kundër SHBA-ve.
Me Trumpin në presidencë SHBA po distancohen nga aleatët e tyre historikë në Evropë. E tregojnë këtë pretendimet e Uashingtonit për pabarazi tregtare mes dy anëve të Atlantikut, tërheqja amerikane nga marrëveshja e Parisit kundër ndotjes globale por edhe kërcënimet për sanksione ndaj Iranit. Nuk duhet harruar se Britania e Madhe, Franca e Gjermania janë bashkëfirmosëse të asaj marrëveshjeje të 2015-s me Iranin e nuk duan të ndjekin Shtëpinë e Bardhë në denoncimin e saj. Këta aleatë evropianë Tirana i ndjen më afër, duke vënë bast se SHBA nuk do të guxojnë të prishin seriozisht marrëdhëniet e bashkëpunimit me të. Rezulton me të vërtetë e guximshme të mendosh raprezalje masive amerikane ndaj Parisit, Berlinit, Romës e Londrës për shkak të votës së tyre antiamerikane në OKB. Shqipëria ka votuar njësoj si Estonia, e cila ka nevojë për NATO-n (ku shumica e fuqisë është amerikane) si kundërpeshë ndaj fqinjit rus. Shqipëria ka votuar si Koreja e Jugut, e cila ka nevojë ekzistenciale për Uashingtonin kundër fqinjit bërthamor në veri të saj, diktaturës koreanoveriore. Por më tepër ka votuar si ata që kanë çelësat e negociatave: Gjermania, Franca, Italia, Austria.
Në këtë çast për Tiranën zyrtare Brukseli është më i rëndësishëm sesa kërcënimet e Uashingtonit.
*Diplomuar në Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “La Sapienza” të Romës