Zjarret masive i kanë shndërruar në ferr, brigjet jugperëndimore të Turqisë, parajsën e turistëve europianë e më gjerë. Turistët po braktisin hotelet dhe resortet e destinacionit të famshëm të Bodrumit, pasi qeveria urdhëroi evakuimin e tyre për shkak të zjarreve masive që për momentin është e pamundur të vihen nën kontroll.
Zjarret që kanë nisur prej të mërkurës u kanë marrë jetën 6 personave dhe kanë plagosur me qindra të tjerë. Deri më tani numërohen 107 vatra, 98 prej të cilave janë nën kontroll.
Flakët janë aq të mëdha sa duken qartë edhe në pamjet satelitore.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan vizitoi zonën të shtunën, duke inspektuar dëmtimet nga helikopteri.
Duke folur nga qyteti Manavgat, Erdogan njoftoi se qeveria turke do të mbulojë qiratë për njerëzit e prekur nga zjarret dhe do të rindërtojë shtëpitë e tyre. Ai tha se taksat, sigurimet shoqërore dhe pagesat e kredisë do të shtyheshin për të prekurit dhe bizneseve të vogla do t’u ofroheshin kredi me zero interes. Erdohan premtoi se shkaktarët e zjarreve do të vihen shumë shpejt para ligjit.
Avionë nga vendet fqinjë si Azerbajxhani e deri nga Rusia po u vijnë në ndihmë mijëra trupave të zjarrfikësve. E teksa brigjet jugore e jug-perëndimore digjen, rajonet lindore po përballen me përmbytje.
Greqi
Me situatë të vështirë nga zjarret po përballen edhe brigjet perëndimore greke në rajonin e Peloponezit, ku qindra banorë të fshatrave në rajonin e Akejës janë evakuuar.
Itali
Situata e rënduar me zjarret në ditët e fundit në Siçili ka detyruar kryeministrin Mario Draghi të nënshkruajë një dekret për mobilizimin kombëtar të sistemit të mbrojtjes civile.
Ky departament tashmë ka nisur nga puna për të koordinuar dërgimi e vullnetarëve apo ekipeve lokale të ndihmës në zonat më problematike me flakët e zjarrit.
Tashmë drejt Siçilisë janë nisur skuadra të përgatitura për fikjen e zjarreve nga Emilia Romagna, Friuli Venezia Giulia, Lombardia, Piemonte, Veneto, Trento e Bolzano.
Siçilia po digjet prej disa ditësh nga dhjetëra vatra zjarresh për shkak edhe të temperaturave të larta që kanë arritur deri në 40 gradë si dhe erës që favorizon flakët.