Kurora me lule u vendosën të dielën në ndërtesën përgjatë rrugës ”Filtrowa” në Varshavë, ku 77 vite më parë, më 31 korrik 1944, komandanti i Divizionit të Varshavës, Antoni Chrusciel, nënshkroi urdhrin për të filluar Kryengritjen e famshme të Varshavës, një nga ngjarjet më epike të Luftës së Dytë Botërore.
Kryengritja e Varshavës ishte operacioni më i madh ushtarak nëntokësor në Evropën e pushtuar nga Gjermania.
Më 1 gusht 1944, rreth 50 000 kryengritës morën pjesë në luftime. Kryengritja e planifikuar të zgjaste vetëm disa ditë, përfundimisht zgjati mbi dy muaj.
Gjatë luftimeve në Varshavë, rreth 18 000 kryengritës humbën jetën dhe 25 000 u plagosën.
Humbjet në mesin e popullatës civile ishin të mëdha dhe arritën në përafërsisht në 180 000 banorë.
Pas shtypjes së Kryengritjes së Varshavës, rreth 500 000 banorë të mbijetuar u detyruan të evakuoheshin dhe Varshava u rrafshua pothuajse plotësisht.
Në një ceremoni në fundjavë, në prag të përvjetorit, presidenti polak Andrzej Duda i bëri homazh kryengritjes dhe pjesëmarrësve të saj.
“Shtatëdhjetë e shtatë vjet më parë, në këtë kohë, urdhri për kryengritjen ishte dhënë tashmë”, tha Duda.
“Djemtë dhe vajzat mësuan përmes rrjeteve të komunikimit se të nesërmen do të ishin në një luftë në këtë kohë. Çfarë ekzaltimi! Çfarë gëzimi! Ata kishin pritur një kohë të gjatë për këtë moment”, theksoi ai.
Ceremonitë kryesore përkujtimore të përvjetorit në Varshavë ishin caktuar për në orën 17:00, pikërisht në kohën kur filloi kryengritja.