Kreu i një organizate joqeveritare që ndihmon njerëzit që ikin nga Bjellorusia është gjetur i vdekur pranë shtëpisë së tij në Ukrainën fqinje.
Trupi i Vitaly Shishov u gjet i varur në një park në Kiev. 26-vjeçari kishte dalë të bënte joga, po nuk u kthye kurrë. Policia ka nisur hetimet duke dyshuar për vrasje.
Autoritetet nënvizuan se po hetohet pista nëse ai është vrarë dhe vdekja e tij është bërë të duket si vetëvrasje.
Aktivisti ka ndihmuar në Ukrainë njerëzit që u larguan nga Bjellorusia pas përndjekjes policore. Ukraina, Polonia dhe Lituania, fqinjët e Bjellorusisë, janë destinacionet kryesore për ata që ikin nga persekutimi, pas rizgjedhjes në krye të shtetit të Presidentit Aleksander Lukashenko në gusht 2020.
Udhëheqësja e opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya shkroi në Twitter se ajo ishte “shkatërruar” nga vdekja e Shishov.
Vdekja e Shishov vjen vetëm pak ditë pasi atletja bjelloruse nga Tokio u shpreh se kishte frikë të kthehej në Bjellorusi.
Sportistja kishte kërkuar ndihmë tek policia pas deklaratave kritike mbi funksionarët bjellorusë të sportit në Lojërat Olimpike në Tokio. Tsimanovskaja me gjasë do duhej të dërgohej jashtë vendit pa dëshirën e saj nga funksionarët e sportit. Të hënën Polonia i dha sportistes vizë humanitare.
Ky rast risolli në mendje uljen e detyruar të avionit në Minsk në maj, ku u arrestua kritiku i qeverisë bjelloruse në ekzil, Roman Protasevitç bashkë me të fejuarën. Avioni Ryanair ndodhej në fluturim nga Greqia në Lituani. Autoritetet bjelloruse kryen uljen e detyruar të avionit gjoja për shkak të një bombe në bord.
Lukashenko “po i dërgon një mesazh pjesës tjetër të komunitetit që të qëndrojë i qetë, të mos trazojë barkën dhe të mos mirëpresë më refugjatë”, u shpreh një ekspert pas këtyre ngjarjeve të fundit.
Autoritetet i kanë karakterizuar protestuesit antiqeveritarë si kriminelë ose revolucionarë të dhunshëm të mbështetur nga Perëndimi.
BE dhe SHBA ka refuzuar ta njohë Lukashenkon si president dhe kanë vendosur disa sanksione ndaj tij, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve.