Tam Hunt*
Edhe universi ka vetëdijen e tij. Ndër të parët që e kanë hedhur këtë teori është matematikani dhe fizikani Johannes Kleiner, në Qendrën e Mynihut për Filozofinë Matematike në Gjermani, sipas të cilit një përcaktim matematikor i saktë i ndërgjegjes mund të nënkuptojë që kozmosi ka plot përvojë subjektive.
Kleiner dhe kolegët e tij janë të fokusuar në Teorinë e Informacionit të Integruar të ndërgjegjes, një nga teoritë më të spikatura të vetëdijes sot. Siç vëren Kleiner, IIT (siç njihet teoria) është tërësisht panpsikike sepse i gjithë informacioni i integruar ka të paktën një grimcë të vetëdijes.
Panpsikizmi duhet parë si pjesë e një prirjeje kopernikane – ideja se ne nuk jemi të veçantë. Toka nuk është qendra e universit. Njerëzit nuk janë krijimi më i epërm apo maja e evolucionit. Pra, pse duhet të mendojmë se krijesat me tru, si ne, janë bartësit e vetëm të vetëdijes? Panpsikizmi ka ekzistuar për mijëra vjet si një prej disa zgjidhjeve të problemit mendje-trup. Libri i David Skrbina i vitit 2007, “Panpsikizmi në Perëndim” sjell një historik të kësaj tradite intelektuale.
Një nga shumë versionet e panpsikizmit është ai konstitutiv. Sipas kësaj qasjeje, e gjithë materia ka një mendje ose ndërgjegje të lidhur, dhe anasjelltas. Aty ku ka mendje, ka materie dhe ku ka materie ka mendje. Ato shkojnë së bashku. Siç kanë argumentuar panpsikistët modernë si Alfred North Whitehead, David Ray Griffin, Galen Strawson dhe të tjerë, e gjithë materia ka një kapacitet për të ndjerë, megjithëse kjo është rudimentare në shumicën e konfigurimeve të materies.
Panpsikistët shikojnë shkallët e shumta në shkallën e kompleksitetit të natyrës dhe nuk shohin asnjë vijë të dukshme midis mendjes dhe mos-mendjes.
Në vitin 1974, filozofi Thomas Nagel ngriti pyetjen se si mund të jetë të jesh një lakuriq nate, të bësh jehonë dhe të fluturosh? Ne nuk mund ta dimë me siguri, por mund të konkludojmë në mënyrë të arsyeshme, bazuar në vëzhgimin e sjelljeve të tyre komplekse dhe lidhjes së ngushtë gjenetike midis të gjithë gjitarëve dhe njerëzve – dhe faktit që evolucioni vazhdon gradualisht – se lakuriqët e natës kanë një jetë të brendshme të pasur. Me të njëjtën logjikë, ne mund të shikojmë në mënyrë të qëndrueshme forma më pak komplekse të sjelljes që na lejojnë të konkludojmë në mënyrë të arsyeshme në një lloj mendjeje të lidhur me të gjitha llojet e materies. Po, duke përfshirë edhe elektronin më të ulët.
Ndërsa materia e pajetë nuk evoluon si materia e gjallë, materia e pajetë vepron. Ajo bën gjëra, u përgjigjet forcave. Elektronet lëvizin në mënyra të caktuara që ndryshojnë në kushte të ndryshme eksperimentale. Këto lloje sjelljesh i kanë shtyrë fizikanët të sugjerojnë se elektronet mund të kenë një lloj mendjeje jashtëzakonisht rudimentare. Për shembull i ndjeri Freeman Dyson, fizikan i mirënjohur amerikan, deklaroi në librin e tij të vitit 1979, “Disturbing the Universe”, se “proceset e ndërgjegjes njerëzore ndryshojnë vetëm në shkallë, por jo në natyrë, nga proceset e zgjedhjes midis gjendjeve kuantike të cilat ne i quajmë “rastësi” kur bëhen nga elektronet. ” Rastësia kuantike është më mirë e përshtatur si zgjedhje kuantike – zgjedhje, jo rastësi, në çdo nivel të natyrës. David Bohm, tjetër fizikan i mirënjohur amerikan, argumenton në mënyrë të ngjashme: “Aftësia e formës për të qenë aktive është tipari më karakteristik i mendjes, dhe ne kemi diçka që i ngjan mendjes që te elektroni”.
Shumë biologë dhe filozofë kanë pranuar se nuk ka ndarje të thellë midis të gjallëve dhe të pajetëve. J.B.S. Haldane, biologu i shquar britanik, mbështeti pikëpamjen se nuk ka një kufi të qartë midis asaj që është e gjallë dhe asaj që nuk është: “Ne nuk gjejmë dëshmi të dukshme të jetës ose mendjes në të ashtuquajturën lëndë inerte…; por nëse pikëpamja shkencore është e saktë, ne përfundimisht do t’i gjejmë këto dëshmi, të paktën në formë rudimentare, në të gjithë universin”.
Fizikani danez, Niels Bohr, i cili pati rëndësi thelbësore në zhvillimin e teorisë kuantike, tha se “vetë përkufizimet e jetës dhe mekanikës … janë në fund të fundit një çështje lehtësie …. Çështja e një kufizimi të fizikës në biologji do të humbiste çdo kuptim nëse, në vend që të bënim dallimin midis organizmave të gjallë dhe trupave të pajetë, do të zgjeronim idenë e jetës në të gjitha fenomenet natyrore. ”
Edhe astrobiologu i Universitetit të Kolorados, Bruce Jakosky, i cili ka punuar me NASA-n në kërkimin e jetës jashtëtokësore, pyeti në mënyrë retorike: “A ka pasur një moment të veçantë kur Toka kaloi nga mungesa e jetës në lindjen e saj? Përgjigja është “ndoshta jo.”
Fizikantja teorike Sabine Hossenfelder, autore e librit “Të humbur në matematikë”, ka një qëndrim të kundërt. “[Nëse] do që një grimcë të jetë e ndërgjegjshme, pritshmëria minimale duhet të jetë që grimca të ndryshojë”, argumenton ajo në një artikull me titull “Elektronet nuk mendojnë”. “Nëse elektronet do të kishin mendime, ne do ta kishim parë këtë gjatë përplasjeve të grimcave sepse do të ndryshonte numrin e grimcave të prodhuara në përplasje”.
Megjithatë, “ndryshim” nuk është një gjë e vetme. Një nga variantet përfshin pozicionin në hapësirë me kalimin e kohës. Ajo që Dyson argumenton në lidhje me elektronet dhe teorinë kuantike është se shpërndarja probabilitare-rezultatet e eksperimenteve kuantike shpjegohen më mirë si produkt, jo i rastësisë së pastër, por me zgjedhje të shumta shumë rudimentare nga secili elektron në çdo moment se ku dhe si të shfaqen.
Shumëllojshmëria e panpsikizmit të Whitehead, ende versioni më i përpunuar i panpsikizmit sot, e përshkruan natyrën e materies në një mënyrë themelore. Për Whitehead, të gjitha entitetet aktuale, përfshirë elektronet, atomet dhe molekulat, janë “pika përvojash”. Mund të duket një perspektivë e çuditshme, por përfundimisht ka shumë kuptim.
Në vend që të jenë gjëra të pandryshueshme që lëvizin në një enë hapësirë-kohë, Whitehead i koncepton grimcat si elektronet si një zinxhir përsëritjesh të njëpasnjëshme të një elektroni të vetëm, që kanë ngjashmëri të fortë me njëra-tjetrën në secilën përsëritje, por nuk janë identike me njëra -tjetrën. Çdo përsëritje është pak më ndryshe se e fundit. Nuk ka asnjë elektron statik dhe të pandryshueshëm. Shkalla në të cilën çdo përsëritje është pak a shumë e ndryshme nga përsëritja e fundit është vendi për një pikë të zgjedhur dhe mendje. Kjo pjesë e zgjedhjes bëhet pjesë e së tërës dhe, gjatë rrjedhës së evolucionit biologjik, rezulton në lloje komplekse të mendjes dhe zgjedhjes që ne njerëzit dhe gjitarët e tjerë i bëjmë.
Shumë mendimtarë modernë kanë arritur të përqafojnë Whitehead-in dhe panpsikizmin në shkallë të ndryshme, përfshirë Bohm-in, Tërësia e të cilit dhe Rendi i nënkuptuar, vepra e tij madhore mbi fizikën moderne dhe natyrën e realitetit, i referohet Whitehead -it si një frymëzim.
Ne mund t’i kthejmë këto konsiderata “thjesht” filozofike për natyrën e mendjes, në një grup eksperimentesh të testueshme, me disa ide bazë të skicuara këtu. Eksperimente të tilla i çojnë debatet rreth panpsikizmit jashtë sferës së filozofisë dhe më fort në sferën e shkencës.
Pra, po, ka shumë hapësirë në fizikën moderne për elektronet që “mendojnë”.
*Tam Hunt është studiues dhe shkrimtar pranë Universitetit të Kalifornisë, Santa Barbara. Ai është autori i librit “Eco, Ego, Eros”, që eksploron panpsikizmin në fusha të ndryshme, dhe i Teorisë së Rezonancës së Përgjithshme të vetëdijes, e cila është panpsikiste në orientim. Shkrimet e tij, Hunt i poston në medium.com.
Shkrimi është botuar në Nautil.us