Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka bërë asnjë hap pas në betejën e tij kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një konferencë për mediat ka njoftuar sot se avokati i tij ka dorëzuar padinë për shpifje në gjykatën Korreksionale të Parisit.
Sipas Berishës, padia bazohet në parimin se shpifja nuk ka imunitet dhe dënohet në çdo vend që përhapet shpifja për shkak të internetit. Ish-kreu i qeverisë ka ftuar Sekretarin Amerikan që të dorëzojë çdo provë që disponon kundër tij.
“Këtë konferencë e kam thirrur për t;u njoftuar se avokati im ka dorëzuar padinë time për shpifje në gjykatën korreksionale të Parisit. Siç e kam njoftuar më herët unë kam autorizuar avokatin tim që të dorëzonte një padi për shpifje për Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.
Sipas avokatit tim kjo padi bazohet në precedentë të mëparshëm se shpifja nuk ka imunitet për këdo, pavarësisht nga detyra që mban, Po ashtu padia bazohet dhe në parimin e shpifja në internet dënohet kudo, në çdo vend që përhapet lajmi. Unë i bëj thirrje sekretarit Blinken që për hir të transparencës të dorëzojë në këtë gjykatë të gjitha provat që disponon”, u shpreh Berisha.