Bota Bill Gates flet për divorcin me Melindën dhe efikasitetin e vaksinave

Bill Gates flet për divorcin me Melindën dhe efikasitetin e vaksinave

Miliarderi i njohur amerikan, Bill Gates, ka bërë rrëfimin e parë pas divorcit me ish-bashkëshorten, Melinda. Në një intervistë dhënë për CNN, themeluesi i Microsoft përqendrohet te pandemia koronavirus.

Gates, i cili vite më parë paralajmëroi për rreziqet që mund të na vinin nga viruset, ngre shqetësimet e tij lidhur me variantin Delta të Covid-19: “Nëse nuk rikthejmë mbajtjen e maskave në vendet e duhura dhe nëse nuk rrisim nivelin e vaksinimit, do të kemi një valë mjaft të rëndë në vjeshtë dhe kjo është zhgënjyese. Duam që të jemi afër përfundimit të pandemisë, por Delta është një lajm shumë i keq”.

Miliarderi shpreson shumë te vaksinat dhe rezultati i tyre deri më tani e ka impresionuar: “Gjërat po shkojnë më mirë nga sa prisja, sa i përket efektshmërisë që vaksinat kanë. Ju e dini, e kam fjalën për Pfizer dhe Moderna, por edhe për Johnson&Johnson”.

Divorci me Melindën e ka trishtuar pa masë: “Është padyshim një moment tepër i trishtë. Melinda është një person shumë i mirë dhe përfundimi i asaj marrëdhënieje është një burim trishtimi i madh personal. Po komunikojmë dhe punojmë te fondacioni. Këtë lloj marrëdhënie po tentojmë që ta vazhdojmë”.

Bill Gates tha se është penduar që ka kaluar kohë me Jeffrey Epstein, financierin që u dënua për krime të ndryshme seksuale në vitin 2008. Ky i fundit u vetëvra në burg teksa priste gjyqin për akuza të reja të ngritura në vitin 2019.

Lidhjet e Bill Gates me Epstein mendohet se çuan në divorcin me Melindën.