Prej disa orësh një zjarr intensiv ka përfshirë masivin me pisha në afërsi të fshatit Krushovë, të njësisë administrative të Voskopojës. 5 vatra të vogla janë aktivizuar brenda një kohe të shkurtër, duke bërë që flakët të përhapen në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Dhjetëra forca të shërbimit zjarrfikës, ushtrisë dhe banorët e zonës po përpiqen të venë nën kontroll zjarrin i cili po avancon për shkak të erës. Retë e dendura të tymit e kanë bërë të pamundur ndërhyrjen nga ajri.
Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi i cili mbërriti pasdite në Krushovë, tha se trupat e specializuara do të ndërhyjnë në vatrat e zjarrit pasi të largohet tymi, për të mos lejuar që zjarri t’i afrohet Voskopojës.
“Patëm një shpërthim zjarri, një vatër që nuk nxitoj nëse them që është e qëllimshme, pasi patëm 5 vatra të rrezikshme në malin përballë. Është shumë e rrezikshme si vatër sepse është pyll i dendur me bimësi të ndryshme. Zjarri ka shpërthyer në zemër të këtij pylli. Ka disa rrethana pozitive sepse nga njëra anë kufizohet me një përrua, në anën tjetër me një sipërfaqe disi më të zhveshur dhe kemi një fron të përcaktuar se ku do ta presim zjarrin. Tymi është aq i dendur saqë nuk i lejon forcat të futen dhe të bëjnë ndërhyrjen e tyre. Duket që ka një zgjidhje teorike, sapo të bjerë tymi më kanë garantuar të gjithë ekspertët që ta shmangin. Është fatalitet nëse do të dështonim këtu. Risku është shumë i lartë nëse kapërcen flaka në pjesën më të dendur të Voskopojës”, tha Peleshi.
Peleshi konstaton se edhe zjarri në Krushovë ka qenë i qëllimshëm.
“Ka patur arresitme sot. Ka shumë njerëz që janë në hetime dhe në ndjekje. Deri tani ka kaluar numri 10 i arrestimeve. Nuk janë arrestime kot sa për të larë gojën. Kam dhënë mesazhe që edhe komuniteti të na japë informacion për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm, për të vënë në kohë edhe sa më herët për vatrat. Nëse një vatër e vogël nëse kapet në kohë shmang të madhen”, tha Peleshi
Ulja e temperaturave gjatë mbrëmjes ka sjellë uljen e intensitetit të zjarrit, i cili po mbahet nën kontroll nga forcat operacionale të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren.