Edhe një herë Afganistani kërcënohet nga pushtimi taleban. Militantët kanë pushtuar qytete të rëndësishme në veri të vendit, përfshirë atë të Kunduzit, Sar-e-Pul dhe Taloqan.
Luftime të ashpra po zhvillohen edhe në dy qytete të tjera veriore. Video të postuara në mediat sociale treguan luftëtarët talebanë brenda godinave qeveritare në Kunduz dhe Sar-e-pul edhe pse autenticiteti i tyre nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
5 kryeqendra rajonale kanë rënë në duart e talebanëve që prej së premtes, me Kunduzin që konsiderohet si fitorja më e rëndësishme këtë vit. Avionët amerikanë dhe afganë kanë ndërmarrë një sërë sulmesh ajrore, duke vrarë dhjetëra militantë sipas autoriteteve në vend.
Edhe në anën tjetër ka viktima, mes të cilëve kreu i qendrës qeveritare të informacionit.
“Ata nuk mund të fshijnë historinë e Afganistanit. Premtimi ynë është se do të gjejmë vrasësit dhe me vullnetin e Zotit do t’i ndëshkojmë ata”, u shpreh presidenti Ashraf Ghani.
Një zëdhënës i talebanëve paralajmëroi kundër ndërhyrjes së mëtejshme të Shteteve të Bashkuara gjatë një interviste për Al-Jazirën të dielën. Dhuna përshkallëzoi në Afganistan pasi SHBA-ja dhe forca të tjera ndërkombëtare nisën të tërhiqnin trupat, pas 20 vitesh operacione ushtarake atje.
Militantët kanë fituar ndjeshëm terren gjatë javëve të fundit, e pasi kanë marrë nën kontroll sipërfaqe të mëdha territori në zonat rurale, tani po vënë në shënjestër qytetet kryesore. Ambasada amerikane u ka bërë thirrje qytetarëvë të vet të largohen menjëherë nga Afganistani. Nju-Jork Times që citon burime të administratës thotë se Biden po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit, por se nuk do të ndryshojë planet për tërheqjen e trupave.