Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka autorizuar sot dërgimin e trupave dhe pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion humanitar për shuarjen e zjarreve në Shqipëri.
Në një njoftim për mediat zyra e presidencës së Kosovës bën me dije se autorizimi erdhi pas vendimit të qeverisë për t’i ofruar ndihmë Shqipërisë.
“Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për t`i ofruar ndihmë Republikës së Shqipërisë në shuarjen e zjarreve, Presidentja Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së në operacion humanitar dhe në të njëjtën kohë e ka informuar për këtë veprim Kuvendin e Kosovës”, njofton presidenca e Kosovës.
Trupat dhe pajisjet FSK-së, do t’i vihen në dispozicion autoriteteve shqiptare me qëllim të shuarjes dhe vënies në kontroll të zjarreve.
Më herët dhe ministri i Mbrojtjes në Kosove, Armend Mehaj deklaroi se Kosova është gati të ndihmojë Shqipërinë.