Policia e Shtetit në një deklaratë për mediat ka njoftuar sot se nga data 25 Korrik deri në 10 Gusht janë vënë në pranga 15 persona. Po ashtu bëhet me dije se janë proceduar dhe 16 persona të tjerë, ndërsa 2 janë shpallur në kërkim.
Policia sqaron se po vijon puna dhe për evidentimin e rasteve të tjera për zjarrvënie të qëllimshme dhe u bën thirrje të gjithëve që të mos kryejnë këtë veprimtari kriminale.
Sipas uniformave blu të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia ndezin zjarre dhe shkaktojnë pasoja të mëdha do të përballen me forcën e ligjit.
Deklarata e Drejtorit të Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Ylli Vasili:
Në kuadër të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për marrjen e masave me qëllim përballimin e situatave që mund të krijohen si rezultat i zjarreve në fondin pyjor e kullosor përgjatë sezonit veror 2021”, strukturat e Policisë në të gjithë vendin janë të angazhuara maksimalisht për parandalimin e zjarrvënies, evidentimin dhe arrestimin e personave që vënë zjarr qoftë në tokat e tyre, ashtu edhe në sipërfaqet pyjore dhe kullosore.
Në vlerësim të situatës së krijuar nga zjarret, prej datës 25 korrik deri më datën 10 gusht 2021, si rezultat i punës hetimore të bërë nga strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në të gjithë vendin janë arrestuar 15 persona, janë proceduar penalisht 16 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 persona, konkretisht:
Nga DVP Vlorë janë arrestuar 7 persona, pasi kanë djegur sipërfaqe të ndryshme toke në fshatin Tragjas, në fshatin Gjorm, në Karaburun, Delisuf, Radhimë dhe në Sarandë, ndërsa 1 shtetas është shpallur në kërkim pasi ka djegur dy sipërfaqe me ullinj në fshatin Gjorm. Në Himarë janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi kanë djegur sipërfaqe të pyllëzuara në fshatin Pilur dhe në fshatin Fterr.
Nga DVP Fier janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, konkretisht 2 shtetas janë arrestuar për zjarrin e vënë në pyllin e fshatit Gjorgoz dhe në pyllin e fshatit Kreshpan, 1 shtetas është arrestuar një shtetas për zjarrin e shkaktuar në tokat në Fermë Çlirim, 1 shtetas është arrestuar për zjarrin e shkaktuar në pyllin e fshatit Corrush, Mallkastër, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për zjarrin e shkaktuar në Mbrostar Ferko dhe 2 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë në Lushnjë, për zjarret e shkaktuara në kodrat e fshatit Karbunarë.
Nga DVP Kukës është arrestuar një shtetas për zjarrvënie në Malin e Gjallicës. Nga DVP Lezhë është arrestuar 1 shtetas në Mirditë, për djegien e pyllit dhe një sipërfaqeje me pemë frutore në fshatin Simon, Mirditë, janë proceduar 2 shtetas në Lezhë, pasi kanë djegur një sipërfaqe me ullinj dhe pyllin e fshatit Mabë, Lezhë, si dhe 1 shtetas tjetër është proceduar në Kurbin, për djegien e një sipërfaqe kullote, ullinjve dhe pyllit në fshatin Zhejë, Kurbin.
Nga DVP Durrës është arrestuar 1 shtetas dhe është proceduar penalisht një tjetër pasi kanë vënë zjarr në sipërfaqe toke, në lagjen nr. 15, Durrës dhe në fshatin Shetaj, Ishëm. Nga DVP Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas për zjarrvënie, pasi ka djegur një sipërfaqe pyjore prej 3 dynymë, në fshatin Baçallëk, Pogradec. Nga DVP Elbasan është arrestuar 1 shtetas, 1 është proceduar penalisht, si dhe 1 është shpallur në kërkim, konkretisht: është arrestuar 1 shtetas në Belsh, pasi ka djegur një sipërfaqe me ullinj në fshatin Dëshiran, Belsh, 1 është proceduar në gjendje të lirë pasi ka djegur një sipërfaqe me ullinj në fshatin Gradisht, Belsh dhe 1 shtetas tjetër është shpallur në kërkim pasi ka djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme në fshatin Xhyrë, Librazhd.
Nga DVP Gjirokastër janë proceduar 5 persona për zjarrvënie, 1 shtetas për djegien e një sipërfaqe me vreshta në fshatin Valare, 3 shtetas për djegien e pyjeve në Mashkullorë, Qesorat, Arshi Lengo në Gjirokastër dhe 1 shtetas i proceduar për zjarrin në Dropull (Llovinë). Në të gjithë vendin, strukturat e Policisë janë në terren duke bashkëpunuar me qytetarët, pushtetin vendor, emergjencat civile dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, për të bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve në pyje e kullota.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia e Shtetit është e vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që me dashje apo nga pakujdesia djegin pyjet, sipërfaqet kullosore apo pronat private. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.