Fenomenet ekstreme dhe zjarret po mundojnë prej ditësh një pjesë të madhe të Mesdheut. 65 persona kanë humbur jetën si pasojë e flakëve në Algjeri, mes të cilëve 28 ushtarë. Besohet se mungesa e mjeteve për t’u përballur me zjarret, ka qenë faktor i rëndësishëm.
“Nuk kemi mjete. Po përpiqemi me çfarë të mundemi, vetëm të mbrojmë shtëpitë. Zoti qoftë me ne”, shprehet një banor.
Presidenti Abdelmadjid Tebboune ka shpallur tri ditë zie. Që prej së hënës, flakët po përpijnë malet me pyje në rajonin e Kabilia, në lindje të kryeqyteti Algjer, duke djegur banesa, tokë bujqësore dhe bagëti.
Greqia po ashtu vijon betejën e mundimshme me flakët. Qindra zjarrfikës nga e gjithë Europa dhe Lindja e Mesme po punojnë krah grekëve për të vënë nën kontroll vatrat në ishullin e Evias, rajonin e Atikës dhe Peloponezit.
Sakaq Turqia është ndarë në dysh, ndërsa jugu është gjunjëzuar nga flakët, veriu përballet me përmbytjet. Shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje dhe rreshqitje të rrezikshme dheu, duke vrarë të paktën 1 person.
Të tjerë janë plagosur apo janë shpallur të humbur. Helikoperët ndërhynë për të shpëtuar personat e bllokuar në çati, ndërsa automjetet u tërhoqën zvarrë nga rryma. Përmbytjet prekën rajonet bregdetare të Bartin, Kastamonu, Sinop dhe Samsun. Meteorologët thonë se një katastrofe e tillë nuk ishte parë në 50 ose 100 vjet.