Presidenti afgan Ashraf Ghani tha të dielën se ishte larguar nga vendi për të shmangur gjakderdhjen, ndërsa talebanët kishin hyrë në pallatin presidencial në Kabul.
Në disa komente të tij në Facebook zoti Ghani shkruante se ishte larguar për të shmangur përplasjet me talebanët që do të rrezikonin jetën e miliona banorëve të Kabulit sikurse shkruante ai. Këto janë komentet e tij të para që nga largimi nga vendi. Zoti Ghnai nuk dha detaje mbi vendndodhjen e tij aktuale. Por më herët agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se Presidenti Ghani ishte nisur drejt Taxhikistanit.
Presidenti afgan Ashraf Ghani, së bashku me nënpresidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë, u larguan të dielën nga vendi, duke u krijuar terrenin kryengritësve talebanë për të rimarrë pushtetin në Afganistan, 20 vite pasi një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkura e rrëzoi grupin nga pushteti. Administrata e tij në Kabul nuk ka bërë asnjë koment.
Nënpresidenti Afgan, Amrullah Saleh, i cili thuhet se po shoqëron zotin Ghani shkruante në Twitter, se nuk do të përkulej para talebanëve, por ai nuk iu përgjigj pyetjeve rreth njoftimeve për largimit të tij nga vendi.
Talibanët kanë arritur të futen në Kabul në kryeqytetin e Afganistanit dhe thanë më herët se janë në pritje të një transferimi paqësor të pushtetit.
Po sot gjatë ditës talebanët morën Jalalabadin, kryeqytetin e provincës Nangarhar dhe qytetin e fundit të madh jashtë kryeqytetit që kishte qenë nën kontrollin e qeverisë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha për rrjetin televiziv CNN të dielën se nuk ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara të qëndronin në Afganistan, pasi kryengritësit talebanë hynë në kryeqytetin e vendit, Kabul.
Zoti Blinken tha se Uashingtoni kishte investuar miliarda dollarë për forcat qeveritare afgane gjatë katër administratave amerikane, duke u krijuar atyre përparësi ndaj talebanëve, por ata nuk ia kanë dalë siç tha ai të ndalin përparimin e tyre.
“E vërteta është se ne kemi parë që këto forca nuk ka qenë në gjendje ta mbrojnë vendin”, tha zoti Blinken. “Dhe kjo ka ndodhur më shpejt nga sa e kishim parashikuar”, shtoi ai.
Ndërkohë Associated Press njoftoi se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, ai i Mbrojtjes Lloyd Austin, Gjenerali i Ushtrisë Mark Milley, kanë informuar anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të dielën mbi situatën në Afganistan gjatë një konference virtuale të paklasifikuar.
Takimi është kërkuar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi së bashku me një takim të klasifikuar që do të zhvillohet kur ligjvënësit të kthehet në Uashington pas 23 gushtit.
Në një deklaratë të NATO-s thuhej se kjo aleanca “po ndihmon operacionet që po zhvillohen në aeroportin e Kabulit për ta mbajtur Afganistanin të lidhur me botën”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se aleanca do të vazhdojë të ruajë praninë e saj diplomatike në Kabul. “Siguria e personelit tonë është parësore dhe ne do vazhdojmë të përshtatemi sipas nevojës”, thuhej në deklaratë.
NATO nuk dha detaje mbi numrin e stafit të saj që vazhdon të jetë në Afganistan, por tha se po “vlerësonte vazhdimisht zhvillimet” në vend.
“Ne mbështesim përpjekjet afgane për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit, e cila tashmë është më urgjente se kurrë”, thuhej në deklaratë.