Bota Putin reagon për herë të parë për Afganistanin: Shpresoj që talebanët të...

Putin reagon për herë të parë për Afganistanin: Shpresoj që talebanët të mbajnë fjalën

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin reagoi për herë të parë për situatën e krijuar së fundmi në Afganistan, ku talebanët morën pushtetin duke larguar nga vendi presidentit Ashraf Ghani.

Kreu i Kremlinit në fjalën e tij tha se vendet e tjera nuk duhet të imponojnë vlerat e tyre në Afganistan dhe se tani që talebanët kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit të gjithë duhet ta pranojnë këtë realitet.

Putin shtoi se shpreson që talebanët të mbajnë fjalën e dhënë për rivendosjen e rregullit dhe qetësisë në Afganistan.

Rusia ka një histori të komplikuar me Afganistanin. Në 1978, gjatë Luftës së Ftohtë, pati një grusht shteti komunist në vend. Kryengritjet kundër tij më pas çuan në pushtimin e trupave sovjetike vitin e ardhshëm.

Forcat sovjetike luftuan kundër kryengritësve xhihadistë lokalë, të njohur si muxhahedinë, të cilët u mbështetën nga SHBA dhe Pakistani.

Lufta sovjetiko-afgane zgjati 10 vjet dhe ishte shkatërruese për vendin, me rreth një milion afganë të vrarë. Pas luftës, luftimet midis luftëtarëve të ndryshëm muxhahedinë përfundimisht sollën ngritjen e talebanëve.