Bota Rezistenca antitalebane pa aleatë: “Fuqitë e mëdha janë të heshtura”

Rezistenca antitalebane pa aleatë: “Fuqitë e mëdha janë të heshtura”

Rezistenca e re antitalebane në provincën Panjshirit në Afganistan deri më tani nuk ka arritur të sigurojë mbështetje në arenën ndërkombëtare.

Të udhëhequra nga Ahmad Massoud, djali i luftëtarit antisovjetik dhe antitaleban Ahmad Shah Massoud, forcat e grumbulluara në Panjshir u kanë bërë thirrje vendeve të tjera për ndihmë financiare. Por të gjitha qeveritë me të cilat kanë folur “janë të heshtura“, citon New York Times Hamid Saifin, ish-kolonel në Ushtrinë Kombëtare Afgane, i cili tani shërben si komandant në forcat e Massoud.

“Amerika, Evropa, Kina, Rusia, të gjitha janë të heshtura”, është shprehur ai.

Rahmatullah Nabil, ish-kreu i Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë në Afganistan, të cilin Times e përshkruan si një “kundërshtar të ashpër të talebanëve”, tha se Massoud i ri është në një “situatë më të vështirë se babai i tij”.

I ati mori mbështetje të kufizuar nga qeveritë rajonale – Rusia, India, Irani dhe Taxhikistani, kur luftonte me talebanët në fund të viteve 1990. Por tani, “ata nuk janë të interesuar”, thotë Nabil.

Megjithatë, rezistenca atnitalebane mendon se nuk është e pashpresë. “Ne po kalojmë në një luftë guerile,” citohet Saifi. “Ne nuk kemi nevojë për mijëra e mijëra trupa për ta luftuar këtë luftë.”