Për një kohë të gjatë, ishulli Oodaaq, në majën më veriore të Groenlandës, konsiderohej pjesa tokësore më e afërt me Polin e Veriut, por kjo tani duhet të korrigjohet, të paktën përkohësisht.
Sipas studiuesve në Universitetin e Kopenhagës, ata kanë zbuluar një ishull të vogël që shtrihet edhe më në veri, edhe pse vetëm rreth 800 metra më tej.
Zbulimi i ishullit ende të paidentifikuar, me përmasa rreth 30 me 60 metra, ishte një rastësi e pastër.
“Ne ishim të bindur se ishulli në të cilin po qëndronim ishte Oodaaq, që deri atëherë ishte regjistruar si ishulli më verior në botë”, tha drejtuesi i hulumtimit, Morten Rasch.
Së bashku me një ekip shkencëtarësh, Rasch ishte nisur në një udhëtim në bregdetin verior të Groenlandës për të mbledhur mostra.
Ai mësoi për gabimin e tij vetëm kur postoi fotografi dhe koordinatat në internet.
“Një numër gjuetarësh ishujsh amerikanë u çmendën dhe thanë se nuk mund të jetë e vërtetë”, tha kreu i Departamentit të Shkencave të Tokës dhe Menaxhimit të Burimeve Natyrore.
Gjuetarët e ishujve janë persona, hobi i të cilëve është të zbulojnë ishuj të panjohur më parë.
Një kontroll i koordinatave zbuloi se Oodaaq është, në fakt, rreth 800 metra në jug të vendit ku Rasch dhe ekipi i tij dolën në breg.
“Në realitet, ne kishim zbuluar një ishull të ri më në veri, një zbulim që e zgjeron vetëm pak fare mbretërinë e Danimarkës”, vazhdoi Rasch.
Shkencëtari sugjeroi që ishulli i sapozbuluar mund të mos zgjasë shumë.
“Ai përbëhet kryesisht nga grumbullime të vogla balte dhe zhavorri, ndoshta rezultat i një stuhie. Askush nuk e di se për sa kohë do të mbetet. Në parim, ai mund të zhduket sapo të godasë një stuhi e re e fuqishme”, përfundon Rasch.