Bota Papa Françesku flet për sëmundjen: Një infermier më shpëtoi jetën, hera e...

Papa Françesku flet për sëmundjen: Një infermier më shpëtoi jetën, hera e dytë që më ndodh

Papa Françesku zbuloi se në operacionin e tij të fundit për zorrën e trashë “një infermiere i shpëtoi jetën” dhe se kjo është hera e dytë që i ndodh.

Papa e tha këtë në një intervistë për një radio spanjolle “Cope” e cila do të transmetohet të mërkurën.

Në një fragment të shkurtër nga intervista e transmetuar të hënën, Papa dëgjohet duke bërë shaka për shëndetin e tij duke iu përgjigjur – pyetjes “Si jeni?” – “Ende gjallë” dhe thotë: “Një infermier më shpëtoi jetën, një burrë me shumë përvojë. Është hera e dytë në jetën time që një infermier më shpëton jetën. E para ishte në vitin 1957”.

Papa 84-vjeçar u operua më 4 korrik në Poliklinikën Gemelli për një pjesë të zorrës së trashë që iu hoq, duke qëndruar në spital për 10 ditë.

Në daljen e tij të fundit, Papa, i cili më 12 shtator do të ndërmarrë një udhëtim katër ditor në Budapest dhe Sllovaki, është shfaqur plotësisht i shëruar, edhe pse në audiencën e së premtes së kaluar ai e filloi fjalimin duke kërkuar falje pasi nuk ishte në gjendje që të fliste në këmbë. “Unë jam ende në periudhën pas operacionit dhe duhet ta mbaj fjalimin ulur. Më falni”.