Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që mbahet në selinë blu, Lulzim Basha ka deklaruar se vendi ka nevojë të ecë përpara, dhe për këtë, thotë Basha, janë të nevojshme ndryshime kushtetuese.
Përpara anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Basha i konsideroi jo përfaqësuese për shoqërinë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.
“Qëllimi kryesor i aksionit tonë është ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm me mundësi për çdo shqiptar që sot po braktis vendin, dhe për të arritur këtë duhet të përfshijmë çdo qyetare dhe çdo qytetar të këtij vendi. Është detyra jonë të organizojmë shumicën e shqiptarëve dhe rruga për ta bërë këtë është ajo me të cilën ndezëm të gjithë bashkë shpresën dhe besimin në zemrat e njerëzve për ndryshim: duke iu dhënë prova se nuk u futëm në beteja vetëmohuese, duke hequr dorë nga cdo pushtet dhe cdo privilegj, për veten apo për karriket tona, por e kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë për Shqipërinë, për demokracinë dhe për shqiptarët, që janë viktimat kryesore të masakrës zgjedhore dhe të modelit të Edi Ramës. Jeta e tyre preket nga pasojat që ka prodhuar ky model shkatërrimtar. Ekonomia lëngon për shkak të korrupsionit dhe mungesës së konkurencës, rendi dhe siguria janë në mëshirën e krimit me të cilin ka bashkëpunuar për të masakruar zgjedhjet, institucionet janë të kapura dhe u shërbejnë klientëve të regjimit jo qytetarëve. Plagët që ky model shkakton në shoqërinë shqiptare janë të shumta, prandaj ne duhet të jemi çdo ditë pranë çdo qytetari dhe në mbrojtje të interesit publik. Nga deputetët e zgjedhur te strukturat më të largëta të Partisë Demokratike, detyra jonë është që zëri i çdo shqiptari të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të mëdha apo të vogla të jenë të përfaqësuara.
Sikurse kam theksuar në Kuvendin Kombëtar, për të zhbërë kapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi dhe për t’ua kthyer institucionet dhe të drejtën për të vendosur qytetarëve, ne do të ndërtojmë në bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që duan një ndryshim cilësor të jetës politike dhe ekonomike në vend, Platformën qytetare për demokracinë. Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale”.
Zgjedhjet e 25 Prillit, kryedemokrati vazhdon t’i konsiderojë një masakër zgjedhore, që sipas tij, nuk prodhuan asnjë zgjidhje për problemet e qytetarëve.
“Beteja të mëdha kemi bërë gjatë këtyre viteve, e të tjera kemi përpara, pasi ajo që ishte e vërtetë para 25 prillit është e vërtetë edhe sot. Shqipëria ka ngecur në vend numëro, peng e qeverisë më të korruptuar në mbarë Europën, që punon kundër interesave të shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Masakra zgjedhore nuk u dha asnjë zgjidhje qytetarëve. Problemet e tyre nuk janë më të vogla, por më të mëdha, nevoja e tyre për një jetë të më të mirë nuk është përmbushur, por kërcënohet nga i njëjti model që shkaktoi varfërimin dhe largimin e më e të paktën 500 mijë shqiptarëve. Prandaj, përballë zgjidhjes së munguar dhe ndryshimit të mohuar përmes atyre mjeteve që ju i njihni më mirë se kushdo tjetër, ne kemi përgjegjësinë për të luftuar për njerëzit e këtij vendi, për të qenë pranë tyre për problemet e vogla e të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie.
Detyra e secilit prej nesh është të bëhemi zëri i qytetarëve, duke mos harruar për asnjë çast të vetëm se kush jemi dhe çfarë përfaqëson Partia Demokratike. Mos harroni se edhe kur kishim kundër nesh të gjithë shtetin, oligarkët, krimin e organizuar, ne, të gjithë bashkë arritëm t’u japim shqiptarëve shpresë. Prandaj duhet të luftojmë me gjithë forcën tonë për ta mbajtur gjallë këtë shpresë dhe të jemi krenarë për atë cfarë kemi arritur, pa përdorur asnjë mjet të paligjshëm, pa blerë vota, pa shantazhuar njerëzit, pa u ndotur me krimin dhe llumin e shoqërisë, siç ka bërë kundërshtari ynë, por vetëm me forcën e besimit tonë, duke mishëruar vlerat për të cilat kjo Parti ka lindur dhe jeton. Ndaj mbajeni kokën lart. Mos lejoni që jemi antiopozitar që ka për qëllim goditjen e Partisë Demokratike si të vetmen shpresë për njerëzit e këtij vendi, të jetë më i fortë se bindja e secilit prej nesh se modeli që kemi zgjedhur, autoriteti moral që kemi fituar, nuk buron nga muskujt e krimit, nga paratë e koncesioneve apo nga shkrirja e partisë me shtetin”.