Në prag të “El Clasico”-s, tensioni sa vjen e rritet. Numërimi mbrapsht për ndeshjen më të bukur të La Ligës, por jo vetëm, ka nisur e këtë herë, në lojë nuk janë thjesht 3 pikët e radhës, por edhe rivaliteti gjithnjë i ndezur futbollistik.
Kjo sepse, pas referendumit të pavarësisë së Katalonjës, sfida më e ndjerë në Spanjë pasurohet me një domethënie politike të pashembullt.
Këtë e tregon edhe klima përpara ndeshjes, me ekipin “blaugrana” që duket se nuk do të praktikojë në fushë të ashtuquajturën “pasillo”, apo korridonin e nderit ndaj futbollistëve të “Los Blancos”-ve, të saposhpallur kampionë bote pas fitimit të Botërorit të Klubeve, por edhe deklaratat e Zinedine Zidane dhe Ernesto Valverde, dy trajnerëve respektivë.
Ndeshja është programuar të luhet të shtunën në orën 13, një orar që favorizon edhe sportdashësit aziatikë. Ndaj e meriton, si gjithnjë, të konsiderohet edhe si një shfaqje botërore. Real kundër Barcelonës, apo Ronaldo kundër Messit, një çështje që pret verdiktin në fushë ditën e nesërme, me ekipin “merengues” që dëshiron rikuperimin e pikëve përkundrejt katalanasve.
“Kam një ndjesi të mirë, jemi përgatitur shumë për të tilla ndeshje. Sigurisht që do të jetë ndeshja më e vështirë e të gjithë sezonit, por kjo na bën të jemi më ekzaltues, – shpjegon Zidane. – El Clasico është gara e vitit, jemi gati dhe duam ta fitojmë. E njohim mirë rëndësinë e kësaj sfide, por nuk do të jetë një ndeshje vendimtare”, shton më tej trajneri francez.
Sa i përket gjestit të nderit…
“Nuk më intereson aspak. Jam i përqëndruar vetëm te ndeshja, ashtu si dhe lojtarët e mi. Nuk më intereson nëse Barcelona luan mirë apo keq, më intereson vetëm që ata janë përpara dhe ne i ndjekim pas, distancë për të cilën duhet të bëjmë të pamundurën për ta reduktuar”.
Ndërkohë, në lidhje me zërat për konflikte të mundshme mes CR7 dhe klubit, Zidane ka saktësuar:
“Ai është në 100% të formës së tij dhe kjo më intereson. Nuk dua të hyj në gjëra që s’kanë të bëjnë me ndeshjen e nesërme. Cristiano duhet të mendojë vetëm për ndeshjen. Ajo që ka bërë meriton të gjithë respektin e klubit, e pas pushimeve do të flasim sërish”.
Ndërsa Valverde, përpara “El Clasico”-s preferon të mbajë një profil më të ulët.
“Nuk besoj se jemi pretendentët, pasi këto janë ndeshje ku klasifikimi nuk hyn fare në punë. Gjithsesi nuk mendoj se do të jetë ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime, edhe pse ka për të pasur shumë ndikim. Ndeshja më speciale për mua mbetet gjithnjë ajo e radhës. A ka më shumë presion ndaj Realit? Jo, që të dyja skuadrat janë nën presion, kjo për shkak të domethënies që ka kjo sfidë”, shtoi më tej Valverde.
As tekniku i Barcelonës nuk iu ka shpëtuar pyetjeve mbi “pasillo”-n e famshme.
“E ka humbur rëndësinë që ka pasur vite më parë. Nuk do t’ia bëja askujt, e sigurisht nuk do të doja të ma bënin as mua. Tashmë ka marrë një rëndësi thjesht për shkak të aspektit mediatik, por domethënien origjinale e ka humbur. Reali e ka marrë mirënjohjen tonë për atë që ka bërë…”.