Një rrjedhje nafte, e dalë nga rafineria më e madhe e naftës në Siri, po rritet dhe po përhapet me shpejtësi në Detin Mesdhe. Autoritetet qipriote thanë se njolla e naftës, e madhe sa qyteti i Nju Jorkut, po i afrohet rrezikshëm ishullit.
Zyrtarët sirianë thanë javën e kaluar se rrjedhja kishte ardhur nga një depozitë me 15 tonë naftë në qytetin bregdetar Baiyas, që kishte nisur të nxirrte naftë që prej 23 gushtit. Pamjet satelitore nga Orbital EOS tregojnë se nafta e derdhur në det kap një sipërfaqe prej 800 km2 dhe ndodhet 7 kilometra larg bregut qipriot.
Në rrjetet sociale janë publikuar fotografi të dëmeve që rrjedhja e naftës ka shkaktuar në brigjet siriane, duke ndotur detin dhe rrezikuar jetën e gjallesave detare. Një banor i qytetit tha për CNN, në kushte anonimati, se shumica e bregut ishte ndotur tashmë.
Rafineria e naftës në Baniyas mbetet burimi kryesor i prodhimit të karburantit për Sirinë dhe është jetike për furnizimin e mjeteve luftarake të qeverisë, që lufton prej më shumë se një dekade me rebelët dhe forca të tjera.
Kjo është rrjedhja e dytë më e madhe e naftës në Mesdhe këtë vit. Në shkurt, një rrjedhje në brigjet e Izraelit shkatërroi plazhet e vendit dhe gjithashtu ndoti edhe bregun e Libanit.