Barcelona e “gjen” në shtëpi pasuesin e Lionel Messit. Klubi “blaugrana”, pas largimit të “Pleshtit” tek PSG, ka vendosur që numrin 10 mbi fanellë ta mbajë Ansu Fati. Konfirmimi nga klubi “blaugrana” erdhi përmes një videoje, ku shfaqet lojtari i formuar në La Masia, që nxjerr në pah numrin që mbante Messi, pasi në fillimet e tij veshur fanellën me numrin 31, ndërsa sezonin e kaluar atë me numër 22, teksa në skuadrën e dytë të Barcelonës ishte paraqitur me numrin 17.
Në këtë mënyrë, Ansu Fati trashëgon numrin 10 mitik që nga sezoni 2008-2009 e deri sa u largua nga Barcelona e ka mbajtur Lionel Messi. Më herët ky numër ka qenë pronë e emrave të tjerë të mëdhenj, të brazilianëve virtuozë Ronaldinho, Rivaldo dhe Romário. Numrin 10 te Barça e kanë mbajtur gjithashtu në të kaluarën “Maradona e Ballkanit”, George Hagi, Giovanni, Litmanen apo Riquelme.
18-vjeçari Ansu Fati është në pjesën e fundit të fazës së riaftësimit nga dëmtimi që pësoi në gju thuajse një vit më parë. Pas disa javësh, sulmuesi i përfaqësueses së Spanjës do të shfaqet në fushë me fanellën me numrin 10.