Shqipëria është pjesë e Europës dhe këtë nuk e mohon askush. Në këtë mënyrë, gjatë forumit strategjik për Europën në Bled, kryeministri Edi Rama iu drejtua të gjithë politikanëve të lartë evropianë duke thënë se nuk ka të ardhme të BE-së pa Ballkanin Perëndimor në të. Sipas Ramës, mosintegrimi i vendeve të rajonit është më keq për Bashkimin Europian.
“RMV dhe Shqipëria janë si këta dy karaktere në dramën e Becket ku njëri thotë “a do ikim” dhe tjetri thotë “hajde të ikim” dhe Becket thotë “askush nuk lëviz nga vendi”. E bukura e kësaj është se Becket mund të shfaqet në BE përmes ngjyrave dhe kombeve të ndryshme, së fundmi është Bullgaria. Ne jemi këtu për të luftuar. Ne nuk po kërkojmë licencë për të qenë evropianë, ne jemi evropianë. Çfarë do që të mendojnë njerëzit pjesë e BE ne jemi evropianë. Sinqerisht i jam shumë mirënjohës kryeministrit dhe Presidentit këtu sepse më në fund për diskutimin e Europës ne u ftuam. Është një takim anësor si të thuash, nuk është kryesori. Është dramatike dhe shumë qesharake të shohësh BE që të angazhohet në diskutime për të ardhmen e BE-së dhe ne nuk ftohemi. Nuk ka asnjë të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor brenda BE-së. Nëse BE do të vazhdojë natyrisht nuk do të jetë mirë për ne, por do të jetë më keq edhe për BE. Nuk po i jap Ballkanit të gjithë atë peshën me të cilën kemi parë njëri-tjetrin kur ishim të izoluar, por po them që ju përmendët etërit themelues dhe nëse do të çoheshin ata, besoj se do mendonin më mirë të ishim vdekur se sa gjallë. Nuk kam provë, por po kthehen përmbys në varr. Për ç’të ardhme të Europës? Për çfarë po diskutojmë? Si puna e atij priftit në Kostandinopojë kur po shembeshin muret dhe diskutonin sekset e engjëjve. Më falni që po tregohem kaq ballkanik, por kjo është gjëja shumë e mirë e të qenit evropian dhe Ballkanik sepse nuk e humbet sensin e humorit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se tashmë nuk kërkohet që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të bëhen anëtare, por vetëm për çelje negociatash.
“Të paktën këtu në Bled mund të marrim ca nga koha që nuk na e kanë dhënë në diskutime për të ardhmen e Europës. Do ta përmbyll me këtë, mos përmendni më aktorët e tretë, faktorët e tretë sepse është qesharake. Nga një anë na thuhet “na doni”, nuk na thonë që ju duam dhe ne, na thonë që jeni të rëndësishëm për ne. Ne një ditë do martohemi me ju, por deri atëherë as nuk flasim dot bashkë, por as nuk i flisni dot të tjerëve. Nuk funksion kështu. Ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë, por kur të bëhemi anëtarë, nuk e di Macron që është më i riu do jetë duke shkruar kujtimet. Po flasim për çeljen e bisedimeve, vetëm bisedimet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nuk la pas batutat dhe ironitë me qëndrimet e Europës sa i përket zgjerimit.
“Më lini të përpiqem që t’ju jap ca buzëqeshje në këtë atmosferë të zymtë. Në Ballkan ka diçka që besoj duhet ta ruajmë fort që ne mund të buzëqeshim e të qeshim edhe kur vuajmë, çka pjesëtarët e BE-së nuk kanë ndërmend ta bëjnë. E kam fjalën për gjermanët, po. Dikush u afrua të takojë një eurooptimist dhe europesimist ditët e sotme dhe e pyeti eurooptimistin se cila ishte pikëpamja e tij për zgjerimin dhe ai tha se “Turqia do të hyjë në BE ose nën presidencën e Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë”. Europesimisti u pyet dhe tha se të dyja ato do të hyjnë në BE kur ta ketë presidencën Turqia. Kështu që e kemi gjetur mënyrën për t’u përballur me këtë mishërim të Beckett. Ne po presim Godonë”, tha Rama.