Sokol Balla nuk do të jetë më drejtor i lajmeve në Top Channel, duke i hapur rrugë një politike të re editoriale në këtë televizion. Ndryshimi ka nisur me nervozizmin e dukshëm të këtij televizioni në raport me kryeministrin javët e fundit, dhe duket se po institucionalizohet. Dhe kjo është rruga e duhur, kur një pronar kërkon të ndryshojë diçka.
Por lajmi nuk është tek ndryshimi i pozicioni të Sokol Ballës. Është hera e dytë që ai largohet nga drejtor lajmesh në atë televizion. Hera e parë ka qenë në vitin 2009, pas zgjedhjeve, kur presioni i qeverisë Berisha ndaj televizionit kaloi në ekstrem, dhe u fokusua mbi redaksinë e lajmeve dhe Fiks Fare. Në atë kohë Balla u spostua nga lajmet për të krijuar një paqe në distancë me qeverinë.
Dhe nuk është se nuk ja arriti. Prej vitit 2009 e në vazhdim, gjuha e Top Channel-it ishte më e rrumbullakosur, më e kujdesshme, por thelbi realist i lajmeve nuk u prek. Natyrisht, nuk përmendeshin më familjarët e kryeministrit apo afera të mëdha korruptive.
Pas vitit 2011, kur Fiks Fare transmetoi kasetën Meta- rifti, gjuha e Berishës u egërsua vetëm ndaj Fiks Fare, apo “Çakallit” të Fiksit, siç thoshte Berisha, duke bërë kujdes të ndante Top Channel nga kjo histori urrejtje. Kujdesi për të qenë luajal me qeverinë bëhej dhe në panelet e të ftuarve në Top Channel. Unë mund të haja drekë dhe të pija kafe me Sokol Ballën apo Rudinën, por ata nuk më ftonin dot në mbrëmje në emisionet e tyre. Ishte një siklet që e kalonim me të qeshur si “halle pronarësh”, por në atë kohë, ishte një sinjal i keq për lirinë e shtypit.
Ishte sinjal i keq, se një gjigand i shtypit po detyrohej të ecte “mbi taka” përballë një kryeministri që jo vetëm i shpallte armiq gazetarët kritikë me të, por i linçonte deri në ekstrem, mundësisht duke u vënë në rrezik dhe jetën. Njësoj si Top Channel-in, ai detyroi pronarët e Vizion Plus të shkarkonin drejtorin e lajmeve dhe të mbyllnin emisionin “Faktor Plus”, që zbuloi disa nga aferat e familjes Berisha.
Kjo është historia e Sali Berishës, të vetmit president dhe kryeministër të këtij vendi, që është në listën e dhjetë armiqve botërorë të shtypit, krahas Sllobodan Milosheviçit, Fidel Kastros, Kim Jongut etj, hartuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në SHBA.
Largimi i dytë i Sokol Ballës nuk është i dhimbshëm për të. Ai po largohet nga drejtimi i lajmeve të Top Channel, pasi pronarët kanë një plan të ri për politikën editoriale, dhe kërkojnë të jenë më kritikë me qeverinë aktuale. Është një epokë e re, ku kryeministrin nuk e ka frikë shtypi, por kryeministri ka frikë shtypin.
Në këtë prizëm, është një erë e re për lirinë e shtypit, ndoshta e pazakontë si në asnjë vend tjetër, ku në shënjestër janë gazetarët që nuk janë shumë kritikë me qeverinë. Ky është standardi më i mirë i lirisë që mund të ketë një shoqëri, nëse do ishte real, edhe pse Sokol Balla realisht nuk po hiqet për të përmirësuar lirinë e shtypit, por për të ridimensionuar raportet e pronarëve me kryeministrin. Është nevoja që kanë pronarët e shtypit shqiptar për t’ua ditur atyre “nderin apo qederin” për çfarë ndodh në një redaksi. Mbi të gjitha, është triumfi i modelit të Sandrit, inspirimi që pronarët kanë që të kenë fatin e atij, duke i llogaritur gazetarët autoritarë si pengesë.
Prandaj mos u shqetësoni për fatin e Sokol Ballës. Ai është një nga gazetarët më të mirë të Shqipërisë, dhe në këtë vend ka aq shumë nevojë për gazetarë të mirë, sa mjafton të kesh fuqi të punosh.
Mos u shqetësoni as për lirinë e shtypit. Shtypi është aq i relaksuar kundër qeverisë, sa gara është kush të bëjë më shumë sherr me qeverinë, me shpresë se pas kësaj mund të merren vesh. Shqetësohuni vetëm për faktin se të gjithë po i tërheq drejt vetes modeli i Klanit, po i inspiron suksesi i pronarit që i mban vetë lidhjet me qeverinë. Dhe aty do t’i mundë.