Bashkimi Europian u shpreh i shqetësuar për tensionet në Malin e Zi, pas protestave të dhunshme të së dielës që shoqëruan kurorëzimin e kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Joanikije i Dytë, i cili u emërua nga Patriarku i Serbisë. Në një deklaratë për shtyp, zyra për politikën e jashtme të unionit u bën thirrje palëve politike në Malin e Zi të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të distancohen nga dhuna.
“Zhvillimet në Mal të Zi janë tejet shqetësuese. Liria e tubimit është e drejtë themelore e BE-së. Në të njëjtën kohë, ajo e drejtë duhet të përdoret në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, rendin publik dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe presim nga organet kompetente që të hetojnë dhe sigurojnë proces të duhur gjyqësor për rastet e dhunës, si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj zyrtarëve të rendit”.
Tensionet në Malin e Zi kanë marrë vëmendje të madhe edhe në mediat gjermane. Në një analizë, e përditshmja Tages Cajtung shkruan se me përcaktimin e kryepeshkopit të një kishe në një vend të huaj, Serbia tregon se nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të dominuar në rajon. Sipas kësaj të përditshmeje, Kisha Ortodokse serbe është më tepër se institucion fetar, pasi po përpiqet t’i imponojë identitetin kombëtar një vendi tjetër.
Dhjetëra protestues u plagosën gjatë përleshjeve të një dite më parë me policinë, në përpjekje për të penguar përurimin e Joanikijes së Dytë si kryepeshkop i Malit të Zi, në një ceremoni në Çetinjë, ku i pranishëm ishte edhe Patriarku serb Porfirije.