Islami radikal vazhdon të jetë një kërcënim i rendit të parë të sigurisë, kështu deklaron sh-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair. Ai u bëri thirrje udhëheqësve nga e gjithë bota që të mblidhen së bashku për të zhvilluar një strategji të përbashkët për të luftuar këtë rrezik serioz për shoqëritë e tyre.
Talebanët erdhën në pushtet në Afganistan muajin e kaluar pasi Shtetet e Bashkuara tërhoqën trupat e tyre pas një lufte 20-vjeçare dhe tani Britania ka frikë se kthimi i tyre dhe vakumi i lënë nga tërheqja kaotike e Perëndimit do të lejojë militantët nga Al Kaeda dhe Shteti Islamik të fitojnë terren.
Në një fjalim në institutin ushtarak të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, ai tha se ekziston mundësia që grupet terroriste ekstremiste të krijojnë armë biologjike. “Islamizmi, si nga pikëpamja ideologjike, ashtu edhe dhuna, është një kërcënim i madh për ne dhe nëse nuk tregojmë vigjilencë, do të vijë tek ne. Duhet gjithashtu të shqyrtojmë dobësitë tona. Covid-19 na mësoi mbi patogjenët vdekjeprurës. Mundësitë bio-terroriste mund të duken si pjesë e filmave fantastiko-shkencor, por nëse do të tregohemi të mençur, duhet të përgatitemi për përdorimin e tyre nga aktorë joshtetërore”, tha Blair.
Blair, i cili dërgoi trupat britanike në Afganistan në 2001, tha se është e qartë se “Islami Radikal” nuk ka rënë si forcë ende dhe vazhdon të jetë e pranishme.
Më herët ai ka kritikuar presidentin amerikan, Joe Biden, për tërheqjen e përshpejtuar të trupave amerikane nga Afganistani. Tony Blair ka qenë pjesë e vendimit për të ndërhyrë në Afganistan pas sulmit të 11 Shtatorit në SHBA.
Ish-kryeministri britanik tha se me oreksin e limituar për angazhim ushtarak nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe duhet të punojë më shumë me vendet europiane për rritjen e kapaciteteve për t’i bërë ballë kërcënimeve në zonat si rajoni i Sahelit, në Afrikë.