Bota Zgjedhjet në Gjermani, Merkel “zbret në fushë”: Mbështesni qeverinë Laschet

Zgjedhjet në Gjermani, Merkel “zbret në fushë”: Mbështesni qeverinë Laschet

Armin Laschet dhe Angela Merkel

Në atë që besohet të jetë fjalimi i fundit para deputetëve, kancelarja gjermane Angela Merkel iu bëri një thirrje të pasionuar votuesve gjermanë, për të mbështetur një qeveri konservatore të udhëhequr nga Armin Lashet në zgjedhjet e 26 shtatorit.

Pasi humbën kryesimin në sondazhe, ndaj social demokratëve të qendrës së majtë, SPD, blloku konservator CDU/CSU po mbështetet gjithnjë më shumë në paralajmërimet kundër një alternative të majtë, në përpjekjen për të rigjallëuar fushatën.

Në lojë është e ardhmja e Gjermanisë, ekonomisë më të madhe të Europës dhe shtetit më të populluar, pas lidershipit të qëndrueshëm 16-vjeçar të Angela Merkel. Kancerlarja ka në plan të tërhiqet menjëherë pas zgjedhjeve.

“Brenda pak ditësh qytetarët duhet të zgjedhin mes një qeverie që pranon mbështetjen e partisë së të majtës ekstreme Linke, me SPD dhe Të Gjelbrit, apo një qeveri federale të udhëhequr nga CDU dhe CSU me Armin Lashet si kancelar. Një qeveri që e çon vendin drejt të ardhmes, në mënyrë të moderuar”, tha Merkel.

Partia Linke e së majtës ekstreme, tha të hënën se mund të jetë partnere koalicioni me SPD-në dhe Të Gjelbrit. Kandidati i Social Demokratëve për kancelar Olaf Scholz, e ka distancuar në mënyrë të vazhdueshme veten nga Linke, duke cilësuar atë si të papërshtatshme për qeverisje, për sa kohë sa nuk angazhohet ndaj aleancës së NATO-s dhe partneritetit trans-atlantik me SHBA.

Duke folur pas Merkel në Bundestag, kandidati i SPD-së në krye të sondazheve, Scholz tha se nevojitej një fillim i ri.

“Shpresoj dhe jam i sigurtë se do t’ia dalim”, ishte deklarata e tij.

Toni i Kancelares ishte i pazakontë, sepse në vitet e mëparshme, gjatë paraqitjeve në Bundestag Merkeli kishte theksuar gjithmonë gjuhën e përbashkët me partnerin e saj të koalicionit, SPD. Merkeli shprehu kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj zëvendëskancelarit dhe kandidatit të SPD për kancelarin Olaf Scholz. “Sigurisht, askush prej nesh nuk ishte dhe nuk është kavie laboratori në asnjë formë,” tha ajo, duke iu referuar deklaratave përkatëse të Scholzit gjatë fushatës zgjedhore. Çdo person i vaksinuar kishte marrë një vaksinë të testuar mjaftueshëm. Politikanët duhet t’i bindin njerëzit të vaksinohen”dhe të mos debatojnë me imazhe të shtrembëruara të kavieve të laboratorit”.

Javën e kaluar, kandidati i SPD për kancelar, Olaf Scholz kishte thënë në një intervistë me një radio lokale në landin Rini Verior-Vestfalia: “50 milionë vetë janë vaksinuar tani dy herë. Ne të gjithë kemi qenë kavie laboratori për ata që kanë pritur deri tani. Prandaj unë, si njëri nga ata 50 milionë, them se shkoi mirë. Bëhuni edhe ju pjesë e vaksinimeve.”

Scholzi i mbrojti fjalët që kishte përdorur pas fjalimit të kancelares. Ai tha se populli duhej të bindet për vaksinimin – në një mënyrë të qetë, të shtensionuar e edhe me shaka, për të cilat qeshet në shumë aktivitete. “Nëse ca nuk duan të qeshin dhe të mërziten për këtë, mund të ketë të bëjë me faktin se ata kanë pak për të qeshur kur shikojnë shifrat e sondazheve të tyre,” tha ai.

Thirrje nga salla

Përveç kësaj, Scholzi përmendi tre përparësi për një qeveri federale nën udhëheqjen e tij: luftën kundër varfërisë së fëmijëve, strehim të përballueshëm dhe pensione të qëndrueshme. Për të, këto janë garanci për kohezionin e shoqërisë, tha Scholz-i.

Deklaratat e Merkelit çuan në thirrje të shumta nga salla e seancës plenare. Kryetarja e grupit parlamentar të AfD-së, Alice Weidel e akuzoi kancelaren Merkel se e kishte lënë Gjermaninë prapa si një rast për t’u rindërtuar. Vendi është gjithashtu i pasigurt dhe i ndarë, tha ajo.

Kryetari i liberalëve të FDP-së, Chrisitan Lindner tha duke iu drejtuar kandidatit për kancelar të SPD -së, Olaf Scholz, se nuk duhen fituar sondazhet, por zgjedhjet. Dhe as atëherë nuk është e sigurt që je në gjendje të drejtosh një qeveri. Ai akuzoi të Gjelbrit se donin ta bënin të gjithë Gjermaninë një lloj “Bullerby” (vend të idealizuar të lumturisë).