Pas golit vendimtar që realizoi në fitoren minimale ndaj Hungarisë të dielën, sukses që rindezi shpresat e kombëtares shqiptare për një vend në fazën play-off të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022 për zonën europiane, Armando Broja u bë protagonist edhe në duelin ndaj San Marinos. Edy Reja e hodhi sërish në fushë në pjesën e dytë, por këtë herë i dha më shumë minuta duke e aktivizuar në minutën 46-të me sulmuesin e Southampton në Premier League që ja shpërbleu besimin.
Me një gol dhe dy asiste Broja ishte thjesht fantastik në fitoren 5-0 ndaj modestëve të San Marinos teksa në vetëm një pjesë loje i dha një tjetër spunto sulmit kuqezi duke rritur forcën dhe cilësinë. 19-vjeçari është vlerësuar nga SofaScore me notën 9.3 për paraqitjen ndaj San Marinos duke u bërë kështu lojtari që merr vlerësimin më të lartë nga faqja prestigjioze në të martën e kualifikueseve të Botërorit Katar 2022 për zonën europiane.
Ai është pozicionuar në sulmin e këtij formacioni ideal, sipas modulit 4-3-3, përkrah “bishës” Haaland dhe yllit të ri të Barcelonës, Depay. Duket qartë pra se, pavarësisht skepticizmit të trajnerit Reja, talenti i Shqipërisë ka siguruar një vend në 11-shen më të mirë të kombëtareve të Europës.