Ish-kryeministri Sali Berisha do të nisë sot lëvizjen e tij për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur pasi u përjashtua nga grupi parlamentar nga Lulzim Basha.
Takimi i parë do të zhvillohet në një hotel në kryeqytet me demokratë të Tiranës. Ish-kreu i qeverisë ka njoftuar se kjo foltore do të nisë nga Tirana, por do të vazhdojë më pas në të gjithë vendin.
“Të dashur miq, Ditën e enjte me dt 16 Shtator ora 18:00 në Hotel Rogner nisim ciklin e “Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”! Foltorja do të jetë një bashkëbisedim me demokratë dhe demokrate që nis në Tiranë dhe do të udhëtojë në mbarë vendin. Jeni të mirëpritur! Rroftë Partia Demokratike”, shkruan Berisha.
Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar një natë para nisjes së legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Kryedemokrati tha se kjo ishte zgjidhja e vetme pas vendimit të DASH që e shpalli Berishën “non grata”.
Nga ana tjetër, Berisha e ka akuzuar Bashën se po vepron për interesat e tij, duke e cilësuar vendimin për shkarkimin e tij pazar me Edi Ramën për interesa personale të kreut të PD-së.
Ndërkohë kryesia e FRPD ka kërkuar referendum për të vendosur nëse Berisha duhet përjashtuar apo jo.