I rraskapitur, i ulur në një karrige me duart që i mban mbi kokë. Kjo është piktura e panjohur, e pazbuluar deri më tani e krijuar nga artisti holandez Vincent van Gogh.
Vepra u zbulua nga muzeu në Holandë, duke u cilësuar një nga krijimet më të mira të piktorit.
“Van Gogh ishte i interesuar për njerëzit e zakonshëm, të thjeshtë, ai gjithnjë përpiqej të gjente dhe të shprehte emocionet”, – thekson drejtoresha e muzeut Emilie Gordenker.
Zbulimet e veprave të artistit janë jashtëzakonisht të rralla.
Piktura e titulluar ‘I rraskapituri’ është në pronësi të një koleksionisti privat dhe nuk ishte bërë publike.
“Kur (pronari) erdhi në muze ishte një surprizë e madhe”, tha studiuesi i muzeut, duke shtuar se vepra ishte relativisht e lehtë për t’u vërtetuar.
Portreti 50 x 30 cm është realizuar me mjetin e preferuar të vizatimit të Van Gogh, lapsin e një marangozi ku duket qartë stili i tij i veçantë.
Piktura të sjell ndër mend vizatimin e famshëm të titulluar “I moshuari“, por këtë herë koka e tij është e ulur, qëndrimi i tij është edhe më i lodhur, edhe më shumë i pikëlluar.
Mes gjenialitetit dhe çmendurisë artisti holandez mbahet mend për problemet me sëmundjet mendore dhe e konsideroi veten të dështuar. Van Gogh u vetëvra më 29 korrik 1890, por duke lënë pas vepra unike me histori që rrëfejnë më shumë sesa fjalët.